Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje për respektimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gjeorgji

  • Skot Stërns
  • Shtëpia Bardhë

Presidenti amerikan Xhorxh Bush po i bën përsëri thirrje Rusisë të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë. Korrespondeti i Zërit të Amerikës njofton se zyrtarët gjeorgjianë thonë se tanket ruse po depërtojnë në thellësi të vendit.

Presidenti Bush u takua me zyrtarët të zbulimit në zyrat e CIA-s, për t'u njohur me ecurinë e luftimeve në Gjeorgji. Në një konferencë për gazetarët pas takimit, zoti Bush i bëri thirrje përsëri Moskës të respektojë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Franca.

"Unë, natyrisht, që bëj thirrje për respektimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe për respektimin e marrëveshjes për ndalimin të luftimeve,"- tha Presidenti.

Ndërsa Presidenti rus Dmitri Medvedev u takua me udhëheqësit e republikës separatiste të Osetisë dhe Abkazisë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, u tha gazetarëve se bota "mund të harrojë se Gjeorgjia ka integritetin e vet territorial".

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino e cilësoi deklaratën e Ministrit të Jashtëm rus një "kërcënim", të cilin administrata e Presidentit Bush do ta injorojë.

Presidenti Bush e dërgoi Sekretaren e Shtetit Rajs në Francë, për t'u takuar me Presidentin Nikola Sarkozi, si dhe në kryeqytetin gjeorgjian, për bisedime me Presidentin Mihail Sakashvili.

Zoti Bush tha se ai pret me kënaqësi të dëgjojë zonjën Rajs sonte në mbrëmje, kur ajo ta informojë lidhur me udhëtimin e saj, në shtëpinë e tij në Teksas. Presidenti Bush dhe zonja Rajs, pastaj ditën e shtunë do të marrin pjesë(përmes telekonferencës) në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit Kombëtar nga Teksasi.

Zyrtarët gjeorgjianë thonë se tanket ruse po hyjnë më në brendësi të vendit. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme në Tbilisi thonë se kolona me 100 tanke u nis në drejtim të lindjes së vendit, nga bazat në Gjeorgjinë Perëndimore, por nuk mundi ta specifikojë destinacionin e tyre.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se ekipi prej 12 anëtarësh po punon për vlerësimin e sigurisë së rrugëve të transportit në Gjeorgji, që të fillojë dërgimi i ndihmave të emergjencës.

Presidenti Bush ka urdhëruar ushtrinë amerikane të fillojë një mision ndihmash humanitare për Gjeorgjinë. Dy avionë amerikanë me ndihma kanë mbërritur tashmë në Tbilisi.

Zoti Bush tha se pret që Rusia ta respektojë permtimin që ka bërë, për t'u siguruar që të gjitha linjat e komunikimit dhe transportit, përfshi portet detare, aeroportet, rrugët dhe hapësirën ajrore, të mbeten të hapura për dërgimin e ndihmave dhe për kalimin e civilëve.//lk



XS
SM
MD
LG