Lidhje

Denveri përgatitet për Kuvendin e Partisë Demokrate


Më shumë se 50 mijë njerëz, mes tyre 15 mijë gazetarë dhe 5 mijë delegatë të zgjedhur, do të mblidhen në Denver nga 25 deri në 28 gusht për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate. Në atë kuvend Senatori Barak Obama pritet të emërohet si kandidati i partisë së tij për president. Zyrtarët e Denverit e shikojnë këtë ngjarje si një mundësi për ta paraqitur kryeqytetin e shtetit Kolorado si portën e Perëndimit të ri amerikan.

"Më quajnë Xhenin Uait dhe udhëtova sot 26 kilometra për të shkuar në punë. Më mori një orë. Është tatëpjetë nga qyteti im, Golden deri në Denver".

Xhenin Uajt erdhi në Denver para 8 vjetësh dhe vendosi të qëndrojë.

"Me pëlqen Denveri, komuniteti këtu dhe gjithçka që ofron qyteti. Je vetëm një orë larg zonave malore të Kolorados. Jap mësim për ski. Ka shumë mundësi për të plotësuar aktivitetet sportive."

Kryetari i bashkisë së Denverit, Xhon Hikenluper ishte mes 35 mijë qytetarëve që morën pjesë në ditën e vajtjes në punë me biçikletë. Ashtu si zonja Uait, Hikenluper erdhi në Kolorado për punë. Ai thotë se vendimi për të jetuar në Denver ishte i lehtë.

"Denveri është i vendosur shumë pranë njërës prej mrekullive natyrore të botës, malet shkëmbore të Kolorados. Kemi 310 ditë me diell në vit. Ne ndoshta eklipsojmë pjesën tjetër të botës përsa i përket numrit të njerëzve që duan të jenë këtu. Kjo klimë na bën të ngasim biçikletat dhe bëj shaka gjithë kohës për faktin se këtu njerëzit ngrihen shpejt në mëngjes edhe në fundjavë."

Denveri u ngrit aty ku bashkohen rrjedhat e Lumit Cherry dhe South Platte kur njerëzit zbuluan ar aty në vitin 1858. Ndërsa industritë e minierave dhe naftës qysh atëherë kanë pësuar ulje dhe ngritje, banorët e Denverit mbështeten sot në pjesën më të madhe nga të ardhurat nga puna në qeveri ose në sektorë të energjisë, turizmit, shërbimit dhe prodhimit. Popullsia e zonës metropolitane pritet të shtohet nga 2 presje 7 në 3 presje 9 milionë deri në vitin 2030. Ky fakt e shqetëson Xhon Hikenluper.

"Në se do të kemi kaq shumë njerëz, duhet të sigurojmë hapësirë dhe cilësinë e jetës që i sjell këtu këta njerëz."

Mbipopullimi dhe ndotja e ajrit që e shoqërojnë atë, janë bërë problemet kryesore në Denver.

Megjithatë, ekonomia po lulëzon. Punonjësit e ndërtimeve në qendër të qytetit po punojnë në disa objekte për zyra dhe shtëpi. Fatmirësisht, vinçat e ndërtimit nuk kanë frikësuar vizitorët. Denver mirëpriti 12 presje 2 milionë vizitorë në vitin 2007, duke e bërë turizmin biznesin e dytë më të madh pas industrisë së përpunimit.

Kuvendi Kombëtar i partisë demokrate që do të mbahet nga 25 deri më 28 gusht pritet të ketë nivel të lartë sigurimi. Ndërsa kryetari i bashkisë Xhon Hikenluper punon me zyrtarët lokalë, shtetërorë dhe të rendit për të siguruar këtë eveniment, ai kërkon ta përdorë këtë si një shans për të paraqitur shpirtin krijues të qytetit të tij.

"Ajo që shpresojmë është që Kuvendi të bëhet një platformë përmes të cilës njerëzit të mund të njohin Denverin dhe Koloradon me Malet Shkëmbore të Perëndimit. Nuk është vetëm një kuvend në Denver. Ky qytet ka shumë vlera."

Kryetari i bashkisë Hikenluper shpreson që vizitorët ta pëlqejnë qytetin gjatë kuvendit katër ditor, aq shumë sa të kthehen si turistë ose të bëjnë biznes në kryeqytetin e Kolorados. //bsa//

XS
SM
MD
LG