Lidhje

Një autokolonë ruse pozicionet 50 km larg Tbilisit


Një autokolonë ruse ka hyrë më në thellësi të territorit gjeorgjian, duke u pozicionuar vetëm rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Tbilisi.

Agjencitë e lajmeve nga vendi i ngjarrjes bëjnë të ditur se 10 automjete të blinduara u larguan nga qyteti i rrënuar i Gorit në krejtim të kryeqytetit, por ndaluan afër fshatit Igoeti.

Trupat ruse kanë lejuar disa furnizime me ndihma humanitare në Gori, pasi kishin bllokuar hyrjen për në qytet për disa ditë me radhë.

Autoritetet gjeorgjiane kanë tentuar të futen në qytetin e braktisur, por deri tani nuk kanë pranuar të mbështesin një propozim që policia e Osetisë Jugore të patrullojë në Gori.

Zyrtarët rusë u thanë gazetarëve se forcat ruse po meren me furnizimin e rajonit me ndihma humanitare. Ata thanë gjithashtu se është zbuluar një depo e madhe me armë të prodhimit amerikan, pranë qytetit të Senakit në Gjeorgji. Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë komente rreth pohimeve të zyrtarëve gjeorgjianë.

Në një zhvillim tjetër, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch njoftoi se ka zbuluar prova se aeroplanët rusë kanë hedhur bomba thërmuese në Gjeorgji.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmave thanë se nuk kanë mundësi të dërgojnë ndihma në Gjeorgji derisa atje të përmirësohet gjendja e sigurisë.

Një zëdhënëse e Komitetetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq tha se punonjësit e kësaj organizate nuk mund të shkojnë në Osetinë Jugore edhe pse kanë marrë leje nga autoritetet qeveritare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun tha se luftimet dhe mungesa e shtetit ligjor kanë bërë që në shumë pjesë të Gjeorgjisë të mos shkohet.

Sipas disa vlerësimeve qeveritare, rreth 118 mijë vetë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit me Rusinë.

Kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Antonio Gutierrez do të shkojë javën e ardhshme në Gjeorgji dhe Rusi për të diskutuar mbi gjendjen e ndihmave me zyrtarë të qeverive të të dy vendeve si dhe me përfaqësues të organizatave të tjera të ndihmave.

Kjo agjenci planifikon të dërgojë rreth 100 tonë ndihma këtë javë, të mjaftueshme për rreth 50 mijë njerëz. //ad//

XS
SM
MD
LG