Lidhje

Serbia kërkon opinionin e Gjykatës së Drejtësisë për Kosovën


Serbia po i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shprehë opinonin e saj lidhur me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës dhe thotë se do të veprojë në përputhje me vendimin e saj. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 17 shkurt, por Beogradi ka refuzuar ta njohë sovranitetin e saj.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha dje se i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ta mbështesë kërkesën e qeverisë së tij, për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të japë një opinion konsultues lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

"Sot unë e dorëzova kërkesën time. Asambleja e Përgjithshme do ta marrë në shqyrtim në kërkesën time në vjeshtë. Shpresoj që shumica e vendeve anëtare të OKB-së do ta mbështesin kërkesën e Serbisë", - tha Jeremiç.

Serbia duhet ta dërgojë kërkesën e saj për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes Asanmblesë së Përgjithshme të OKB-së, sepse vetëm organet e OKB-së mund t’i kërkojnë Gjykatës opinione konsultuese.

Kërkesën për opinionin e Gjykatës duhet ta miratojë shumica e thjeshtë e Asamblesë së Përgjithshme prej 192 anëtarësh. Sipas rregullit, kërkesën për Gjykatën e Drejtësisë e bën Asambleja e Përgjithshme dhe jo Serbia.

Vuk Jeremiç tha se Serbia është e bindur se deklarimi i pavarësisë nga Kosova ka shkelur një numër ligjesh dhe mekanizmash ndërkombëtare.

"Serbia ka kërkuar opinion konsultues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sepse ajo është e bindur se ka patur shkelje të ligjit ndërkombëtar, të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të Kartës së OKB-së; gjithashtu, deklarimi i njëanshëm i pavarësisë nga Kosova përbën shkelje të Akti Final të Helsinkit,"- tha ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me bazë në Hagë, është organi kryesor juridik i Kombeve të Bashkuara. Ajo zgjidh mosmarrëveshjet ligjore mes shteteve dhe jep opinione konsultuese për çështje ligjore. Vendimet e kësaj gjykate kanë fuqi ligjore detyruese, por opinionet e saj konsultuese, të cilat i ka kërkuar Serbia, nuk e kanë atë fuqi.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm serb Jeremiç, tha se vendi i tij do ta respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Përderisa ne jemi pala që kërkojmë opinionin e Gjykatës, e theksojmë se ne besojmë tek kjo gjykatë. Ne kemi besim tek institucionet ndërkombëtare dhe do ta respektojmë vendimin e tyre, - tha Vuk Jeremiç.

Në se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thotë se Kosova ka shkelur ligjin ndërkombëtar, kjo do ta përforconte pohimin e Serbisë, se pavarësia e Kosovës është e paligjshme.

Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe më tepër se 42 vende të botës e kanë njohur atë. Edhe pse e pavarur, Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG