Lidhje

Presidenti Bush: Osetia Jugore dhe Abkazia janë pjesë e Gjeorgjisë dhe do të mbeten të tilla

  • Skot Stërns

Presidenti Xhorxh Bush thotë se Rusia nuk duhet të ketë pretendim ndaj republikave separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës na informon se zoti Bush tha se të gjitha forcat ruse duhet të largohen nga Gjeorgjia. Por Rusia nga ana e saj, thotë se nuk ka një afat kohor për tërheqjen e trupave të saj.

Presidenti Bush tha se republikat separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë, që janë në qendër të konfliktit ushtarak do të mbeten pjesë e Gjeorgjisë.

"Një çështje problematike është pretendimi i Rusisë se rajonet e Osetisë Jugore dhe të Abkazisë mund të mos jenë pjesë e Gjeorgjisë në të ardhmen. Por ato janë pjesë e Gjeorgjisë; dhe bashkësia ndërkombëtare e ka bërë vazhdimisht të qartë se ato do të mbeten të tilla", - tha Presidenti Bush.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov javën e kaluar u shpreh se "Gjeorgjia mund të mos i marrë përsëri mbrapsht rajonet separatiste", ndërsa Presidenti rus Dmitri Medvedev u takua me udhëheqësit e vetë-deklaruar të Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Presidenti Bush u tha gazetarëve në shtëpinë e tij në Texas, se të dy ato rajone shtrihen fare qartë brenda kufijve të Gjeorgjisë, të njohura botërisht.

"Kufijtë e Gjeorgjisë duhen respektuar, - tha Presidenti Bush, - ashtu sikurse ato të çdo shteti tjetër. Nuk ka vend për debat mbi këtë çështje".

Gjenerali rus Anatoli Nogovicin tha dje, se paqeruajtësit rusë nuk do të largohen kurrë nga Osetia Jugore dhe Abkazia. Ministri i Jashtëm rus Lavrov, tha se nuk ka një afat për tëheqjen e trupave ruse në Gjeorgji jashtë këtyre territoreve dhe se trupat paqeruajtëse janë një kontingjent i dërguar për ruajtjen e sigurisë.

Presidenti Bush tha se nënshkrimi dje i planit të armëpushimit nga Presidenti rus Medvedev, është një zhvillim i rëndësishëm dhe një hap shpresëdhënës. Zoti Bush tha se Rusia duhet tani ta respektojë këtë marrëveshje dhe t'i tërheqë trupat nga Gjeorgjia.

Presidenti u takua dje me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs, e cila e informoi lidhur me takimet që pati në Francë dhe në Gjeorgji. Zonja Rajs tha se presidenti francez Nikola Sarkozi i kishte thënë, se Presidenti rus Medvedev, u zotua se tërheqja e trupave ruse nga Gjeorgjia do të fillonte në minutën, kur Gjeorgjia të nënshkruante një marrëveshje armëpushimi. "Përderisa kjo nuk ka ndodhur, - tha zonja Rajs, - kjo ndoshta tregon që rusët nuk po e mbajnë premtimin."

Zonja Rajs shkon javën e ardhshme në Bruksel, për një takim të Ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe zyrtarëve të BE-së, për të vazhduar ato që Presidenti Bush i cilëson "përpjekje të Amerikës për ta bashkuar botën e lirë në mbrojtje të një Gjeorgjie të lirë".//lk

XS
SM
MD
LG