Lidhje

SHBA diskuton masat ndaj veprimeve ruse në Gjeorgji


Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se veprimet ruse në Gjeorgji do të kenë pasoja afat-gjata për marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha të dielën në një intervistë për një televizion amerikan se veprimet e fundit të Rusisë kanë dëmtuar shanset e vendit për t’u integruar në institucionet perëndimore. Ajo tha se imazhi i Rusisë është njollosur rëndë dhe se Perëndimi është bashkuar njëzëri në kritikat ndaj këtij vendi për veprimet e tij “të papranueshme” në Gjeorgji, siç u shpreh ajo.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha të dielën në një intervistë për median amerikane se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po shqyrtojnë një numër masash ndëshkimore ndaj Rusisë. Zoti Gates tha se të gjitha opsionet janë të mundshme, përfshirë përjashtimin e Rusisë nga Grupi i Tetëshes, pengesa për të mos i lejuar Moskës të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe vendosja e sanksioneve financiare.

Të dy zyrtarët thanë se është tepër herët të flitet konkretisht për përgjigjen amerikane në këtë çështje. //bsa//

XS
SM
MD
LG