Lidhje

E ardhmja e marrëdhënieve Uashington - Moskë

  • Majkëll Bauman
  • Uashington

Administrata e Presidentit Bush thotë se Rusia duhet ta respektojë plotësisht armëpushimin e nënshkruar me Gjeorgjinë fqinjë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton nga Washingtoni, ku zyrtarë të lartë amerikanë komentuan lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-gjeorgjiane, pas pranisë ushtarake ruse brenda Gjeorgjisë, një vend që aspiron të pranohet në NATO.

Javën e kaluar trupat ruse hynë me forcë në territorin gjeorgjian, përtej provincës separatiste të Osetisë Jugore. Një armëpushim i nënshkruar të shtunën mes Mosksë dhe Tbilisit kërkon që të dyja vendet të fillojnë tërheqjen e forcave të armatosura në pozicionet që kishin para shpërthimi të konfliktit në fillim të muajit.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se Rusia duhet ta mbajë premtimin e bërë.

"Përsëri, Presidenti rus ka bërë një premtim dhe shpresoj që këtë herë ai do ta mbajë fjalën."

Zonja Rajs i bëri këto komente dje, në një intervistë për televizionin "FOX News". Ajo tha se Moska do të paguajë një çmim në arenën botërore për veprimet e saj.

"Tashmë ka patur pasoja të konsiderueshme për Rusinë. Çdo nocion se Rusia ishte një shtet i përgjegjshëm, i gatshëm për t'u integruar në institucionet ndërkombëtare politike, diplomatike, të sigurisë, ekonomike, nocioni i një Rusie moderne që anon drejt përparimit, ky reputacion, pra sinqerisht, është dëmtuar rëndë," - tha zonja Rajs.

Veprimet ushtarake të Rusisë i kanë ftohur më tej ato që shumë vetë i kanë konsideruar si marrëdhënie të tensionuara mes Washingtonit dhe Moskës. Disa, madje, duke përfshirë edhe kandidatin republikan për president, Xhon Mekein, kanë sugjeruar përjashtimin e Rusisë nga Grupi i 8 vendeve më të industrializuara.

Sekretarja Rajs tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin vendime të nxituara mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes Washingtonit dhe Moskës, as kur është fjala për çështjen në se Rusia meriton anëtarësimin e vazhdueshëm për në Grupin e 8-ëshes.

Ky qëndrim i matur u reflektua edhe tek sekretari i Mbrotjes Robert Gejts, i cili dha një intervistë për rrjetin televiziv ABC.

"Kemi parë shumë qartë një aspekt të Rusisë, për të cilin kishim menduar se i përkiste tashmë së kaluarës dhe është e qartë se do ta rivlerësojmë drejtimin që do të marrë marrëdhënia jonë strategjike me Rusinë. Kjo do të varet në një masë në konsiderueshme tek sjellja e Moskës që këtej e tutje,"- tha zoti Gejts.

Ndërsa është zotuar të tërhiqet nga Gjeorgjia, Rusia ka lënë të kuptohet se mundet t'i mbajë një pjesë të trupave në Osetinë Jugore, ku forcat ruse kanë operuar si paqeruajtës për vite me radhë.

Moska është alarmuar nga dëshira e ish-republikave sovjetike për t'u anëtarësuar në NATO dhe për t'i zgjeruar lidhjet ushtarake me Perëndimin. Gjatë një vizite në Tbilisi dje, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Gjeorgjia kishte hyrë në rrugën e anëtarësimit në NATO.//lk


XS
SM
MD
LG