Lidhje

Pakistan - Jep dorëheqjen presidenti Pervez Musharraf


Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf, dha dorëheqjen, duke i dhënë kështu fund 9 vjetëve të trazuara në pushtet. Në një fjalim të transmetuar të nën drejtpërdrejtë në mbarë vendin, zoti Musharaf mohoi të ketë kryer ndonjë shkelje. Ai i cilësoi akuzat për shkarkimin e tij si të pabaza. Zoti Musharaf mbrojti gjithashtu politikat e tij gjatë 9 vjetëve në pushtet, që kur mori këtë detyrë me anë të një grusht shteti. Partnerët e koalicionit të Pakistanit, Ali Asif Zardari dhe Navaz Sharif, po zhvillojnë një takim dhe pritet të bëjnë një njoftim të hënën. Presidenti pakistanez Pervez Musharraf tha se po jepte dorëheqjen për të shmangur një betejë për ndjekjen penale të tij që do të dëmtonte interesat e vendit.

Presidenti Musharraf dukej i prekur në fjalimin që mbajti në televizion.

"Kam vendosur të jap dorëheqjen. Letra e dorëheqjes arrin sot në Asamblenë Kombëtare. Nuk kërkoj asgjë nga askush. E lë të ardhmen time në dorë të vendit dhe popullit. Le të jenë ata gjykatësit".

Zoti Musharraf mbajti nën kontroll Pakistanin për vite me radhë pasi mori pushtetin në vitin 1999 me një grusht ushtarak. Nën drejtimin e tij vendi u bë një aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara, duke mbështetur luftën kundër terrorizmit.

Por me kalimin e viteve popullariteti i tij në vend ra.

Shumë pakistanezë fajësojnë aleancën e tij me Shtetet e Bashkuara për rritjen e dhunës në vend.

Reputacioni i tij u dëmtua rëndë në vitin 2007 kur ai shkarkoi dhjetra gjykatës dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme.

Rivalët e tij fituan në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe kishin kërkuar përmbysjen e tij.

Presidenti Musharraf, u kishte rezistuar thirrjeve për dorëheqje, megjithëse koalicioni qeveritar kishte thënë se i kishte bërë gati akuzat dhe mund të dërgonte një mocion në parlament këtë javë. //bsa//

XS
SM
MD
LG