Lidhje

Notari amerikan Kallën Xhons fiton medalje të artë në Pekin

  • Park Bruer

Notari amerikan Kallën Xhons fitoi një medalje të artë të hënën në garën e stilit të lirë katër me 100 metra në Pekin, duke u bërë vetëm kampioni i dytë i notit me origjinë afrikano-amerikane. Xhons thotë se shpreson që suksesi i tij do të ketë ndikim për të nxitur larminë racore në këtë sport dhe të ndihmojë pakicat të mësojnë se si të notojnë.

Kallën Xhons notoi për ekipin amerikan që ka thyer disa rekorde. Telespektatorët duhet ta kenë vënë re që ai ishte një nga atletët e rrallë me ngjyrë në këtë sport.

Nëna e tij Debra tha se nuk habitej që i biri ishte bërë notar.

“E kisha kuptuar që ai kishte lindur për ujin. Kur ishte fëmijë, ai mund të rrinte me orë të tëra në vaskë dhe qante kur e nxirrja që andej”.

24 vjeçari Xhons është pothuajse dy metra i gjatë dhe u rrit pranë Nju Jorkut. Prindërit e tij ishin shumë të përkushtuar dhe e çonin të stërvitej para se të lindte dielli.

Tani që ka fituar një medalje të artë, ai do që të japë kontribut.

“Afrikano-Amerikanët dhe Latino-Amerikanët janë ata që kanë më shumë shanse për t’u mbytur. Unë isha pak a shumë vetëm një numër. Kështu që unë e pres me kënaqësi këtë pozitë. Që para Lojrave Olimpike i kisha premtuar vetes se nuk do të ikja që këtu pa marrë një medalje. Tani duhet ta kthej shpërblimin”.

Një nga sponsorët e tij, Banka e Amerikës dhuroi 10 mijë dollarë për të filluar “Turneun e Kallën Xhonsit për larmi racore”. Ai ka në plan të edukojë fëmijët, veçanërisht pakicat mbi rëndësinë e të mësuarit të notit, ndoshta jo me shpejtësi por si një aftësi për të mbijetuar.

Xhons tha se do të donte të kishte një ndikim në botën e notit të ngjashëm me atë që lojtari numër 1 i golfit në botë Tajgër Uds ka pasur në sportin e tij.

“Unë vetë pasi e kam parë Tajgër Undsin, jam frymëzuar dhe kam shkuar edhe vetë të luaj golf. Dhe shpresoj që me garën time, të frymëzoj edhe unë ndonjë fëmijë që të shohë një notar me ngjyrë dhe të mendojë se do të ishte interesante që ta provonte edhe ai”.

Kallën Xhons shton se ideja e përhapur që “njerëzit e racës së zezë nuk notojnë”, duhet të zhduket. //bsa//

XS
SM
MD
LG