Lidhje

Rritet roli i fesë në Kinë


Grupet e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje për më shumë liri në Kinë, përfshi lirinë e besimit fetar. Vendi komunist vazhdon të jetë ateist dhe Kina është kritikuar për trajtimin e disa minoriteteve fetare që nuk gëzojnë sanksione zyrtare. Tani, disa kinezë shohin një rol në rritje të fesë në të ardhmen.

Kina po ecën kryelartë në shekullin e 21-të. Është një vend komunist me një rritje të shpejtë të kulturës së konsumit.

Por në një pjesë të Pekinit, tradita ka mbijetuar. Zona Niujie është lagja më e madhe myslimane e qytetit.

Këta myslimanë të Pekinit janë pjesë e një ose dy përqind të popullsisë së Kinës që besojnë tek Islami.

Xhamia historike e Niujies u themelua një mijë vjet më parë. Ajo është një qendër plotë gjallëri për edukim dhe besim.

Të premten në mesditë, besuesit përgatiten për lutjet. Ata vazhdojnë një traditë që erdhi fillimisht në Kinë në shekullin e shtatë, jo shumë pas vdekjes së Profetit Mohamed.

Në anën tjetër të qytetit, në kishën protestante Çong Uen Men, koreanët etnikë nga Kina verilindore organizojnë shërbime të djelën në gjuhën e tyre kombëtare.

Zyrtarët këmbëngulin se feja praktikohet lirisht në Kinë, dhe sjellin shembujt të shërbesave si këto.

Budizmi, taoizmi, myzlimanizmi dhe krishtërimi janë besime që njihen nga qeveria e Kinës.

Megjithatë kritikët theksojnë kontrollin e fortë dhe persekutimin e grupeve që gëzojnë miratimin zyrtar.

Kongregacionet duhet të regjistrohen me shoqatat e kontrolluara nga shteti. Grupet e paregjistruara, si e ashtuquajtura Shtëpia e kishave, janë të paligjshme dhe subjekt i shtypjeve. Para Lojrave Olimpike, grupet e të drejtave të njeriut kritikuan shtypjen e ushtruar mbi disidentët dhe grupet e paregjistruara fetare.

Kritikët akuzojnë gjithashtu Kinën se shtyp budistët tibetianë, myslimanët ujgurë në provincën perendimore Sin Kiang dhe anëtarët e grupit shpirtëror Falun Gong. Qeveria thotë se liria fetare është e sanksionuar me ligj. Ajo thotë se kritikët po ndërhyjnë në punët e brendëshme të Kinës.

Një anketë e vitit 2007, e publikuar në gazetën shtetërore sugjeron se feja po përhapet në Kinë. Autorët e anketës ia atribuojnë këtë rritje klimës më të hapur politike dhe stresit që shkaktojnë ndyshimet sociale.

Studimi thotë se fetë tradicionale si budizmi gëzojnë popullaritet në rritje. Kjo e re, është një nga shumë besimtarë që vijnë të luten në një tempull budist të Pekinit.

Ajo thotë se është e lirë të praktikojë besimin e saj. Por një besimtare tjetër, që kërkon të mos identifikohet, ankohet për kufizime fetare dhe nga media.Ajo citon gjithashtu armiqësinë e Kinës ndaj udhëheqësit në mërgim të Tibetit, Dalai Lama. Kina e akuzon Dalai Lamën për organizimin e trazirave civile mes tibetianëve, dhe se kërkon pavarësinë, që Dalai Lama e mohon.

Në xhaminë Niujie, drejtori administrativ Uei Çunjie thotë se beson se qeveria kineze i kupton vlerat e fesë.

Ai thotë se jo të gjithë kinezët ndajnë besimin e tij islamik. Por shton se virtytet fetare si bamërësia dhe respekti reciprok janë të njëjta virtyte që nxit qeveria kineze. //bsa//

XS
SM
MD
LG