Lidhje

Evropa vazhdon presionin ndaj Rusisë për tërheqjen e trupave nga Gjeorgjia


Bernard Kushner, Ministri i Jashtëm i Francës, e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, thotë se Evropa po i bën presion të fortë Rusisë të tërheqë trupat nga Gjeorgjia. Komentet e shefit të diplomacisë franceze u bënë në prag të takimit të ministrave të jashtëm të Natos mbi këtë çështje:

Në konferencën për shtyp Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner shprehu padurim dhe nervozizëm lidhur me ato që i komentoi si ritme të ngadalta të tërheqjes së trupave ruse nga Gjeorgjia, megjithë pretendimet e Moskës se do ta fillojë pa vonesë procesin.

Ministri i Jashtëm francez u shpreh se sa herë që Parisi i telefonon Moskës, përgjigja që merr është se tërheqja e trupave do të fillojë. Por ai tha Parisi dëshiron që kjo tërheqje të fillojë menjëherë. Ai nënvizoi se Moska ka nënshkruar armëpushim me Gjeorgjinë dhe shprehu shpresën se Rusia e kupton se siglimi i kësaj marrëveshjeje duhet respektuar.

Një takim emergjent i Natos fillon të martën në Bruksel. Ministrat e Jashtëm pritet të angazhohen në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë. Ata pritet gjithashtu t'u bëjnë thirrje të dyja palëve të respektojnë armëpushimin e arritur me ndërmjetësimin e Francës javën e kaluar. Por ministrat janë të përçarë lidhur me rrugën që duhet ndjekur në marrëdhëniet me Rusinë, e cila ka dërguar trupa në territorin gjeorgjian pas përleshjeve në rajonin e Osetisë Jugore në fillim të muajit.

Presidenti rus Dimitri Medvedev tha se forcat ushtarake ruse do të fillonin tërheqjen në mes të ditës së djeshme, por Gjeorgjia ka njoftuar se nuk është parë ndonjë lëvizje trupash.

Presidenti francez Nikolas Sarkozi tha të dielën në një bisedë telefonike me homologun rus se e kishte paralajmëruar Moskën për "pasoja serioze," nëse nuk përmbush marrëveshjen e armëpushimit. Nuk është e qartë se për çfarë pasojash konkrete bëhet fjalë. Zoti Kushner tha se Presidenti francez mund të kërkojë një mbledhje emergjente të Bashkimit Evropian në lidhje me krizën në Gjeorgji brenda pak ditësh. //ad//

XS
SM
MD
LG