Lidhje

Cila do të jetë e ardhmja e NATO-s?

  • Nina Maria-Pots

Pushtimi nga Rusia i Gjeorgjisë fqinje ka rihapur debatin për planet e NATO-s për t’u shtrirë në ish republikat sovjetike. Në prill, NATO-ja ra dakord që Gjeorgjia dhe Ukrahina duhet të bëhen pjesë e aleancës dhe u vendos që kjo çështje të diskutohej më gjatë në dhjetor të këtij viti. Por Moska kundërshton fuqishëm anëtarësimin e këtyre dy vendeve në NATO, madje ofensiva ushtarake e Rusisë në Gjeorgji tregon se sa e debatueshme është çështja e zgjerimit të NATO-s.

Për dekada me radhë, NATO-ja shërbeu si mbrojtje e Europës nga Bashkimi Sovjetik. Por, pas shpërbërjes së këtij të fundit rreth 20 vjet më parë, marrëdhëniet mes Moskës dhe NATO-s u përmirësuan.

Tani, vendimi i Rusisë për të pushtuar Gjeorgjinë, një anëtare e mundshme e NATO-s, ka turbulluar aleancën.

Zyrtarë të Aleancës thonë se marëdhëniet mes Moskës dhe NATO-s kishin nisur të keqësoheshin që më parë.

James Appathurai është zëdhënësi i NATOs. “Takimet tona kanë ndryshuar. Ato më parë ishin disi më të qeta. Ne kishim më shumë mendime të përbashkëta sesa mosmarrëveshje. Tani kemi biseda relativisht të sinqerta për çështje si zgjerimi i NATO-s, Kosova, apo ngjarjet në Gjeogji, dhe në këto biseda aleatët e NATO-s dhe Rusia nuk i shohin gjërat njësoj”.

Zgjerimi i NATO-s ka qënë burim tensionesh në marëdhëniet Rusi-Perëndim. Gjatë takimit të niveli të lartë të NATO-s në prill, vendet anëtare ranë dakord që Gjeorgjia dhe Ukrahina duhet të bëhen pjesë e Aleancës.

Rusia është kundër, qëndrim që u bë i qartë nga Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, gjatë një konference për shtyp, që ai mbajti në lidhje me krizën në Gjeorgji.“Ne e kemi thënë haptazi që zgjerimi i NATO-s është gabim. Çdo valë e re zgjerimi krijon çështje të reja sigurimi. Ka mënyra më të mira për të trajtuar çështjet e sigurisë europiane dhe euroatlantike; më shumë bashkëpunim, që do të përfshinte dhe jo përjashtonte Rusinë”.

Edhe përpara ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji në fillim të muajit, ambasadori rus në NATO, Dmitry Rogozin, paralajmëroi se zgjerimi i aleancës, për të përfshirë vende në kufi me Rusinë, do të ishte i papranueshëm për Moskën.“Ka marrëdhënie Nato-Ukrainë, Nato-Gjeorgji po ka edhe marrëdhënie Nato-Rusi. Çdo gjë ka të bëjë me balancimin e interesave. Duhet të kihet në konsideratë pikëpamja jonë dhe jo të krijohet një makinë ushtarake pranë kufijve tanë”.

Çështja e zgjerimit të NATO-s ka nxjerrë në dritë mosmarrëveshjet brënda NATO-s mbi pasojat e anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Një çështje e debatueshme është nëse NATO-ja do të jetë e gatshme të mbrojë këto vende nëse do të ishin anëtare, dhe nëse në të ardhmen do të kishin konflikte me Rusinë.

Neni i pestë i traktatit të NATO-s thotë se një sulm mbi një nga vendet anëtare konsiderohet si sulm mbi gjithë aleancën. Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur fuqishëm anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, Franca dhe Gjermania e kanë kundërshtuar.

Ambasadori rus Rogozin paralajmëroi se një zgjerim i NATO-s, për të përfshirë këto vende, do të vinte në rrezik status kuonë.“Do të ketë ftohje të vërtetë në marrëdhëniet tona. Amerika dhe NATO-ja do të humbasin mbështetjen e rëndësishme të Rusisë”.

Mbështetja ruse është zgjeruar tashmë në disa operacione të NATO-s në Afganistan. Por disa analistë thonë se misioni në Afganistan përbën një tjetër sfidë serioze për aleancën. NATO-ja ka gati 53 mijë trupa, përfshi personel mbështetës në Afganistan që luftojnë kundër kryengritësve talebanë.

Nick Grono me Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë jo-qeveritare, që meret me parandalimin e konflikteve, thotë se trupat e NATO-s nuk e siguruan me shpejtësinë e duhur Afganistanin jugor.“Kur dërgojmë trupa paqeruajtëse me vonesë, sigurisht që do të gjejmë një rezistencë më të efektshme dhe më agresive”.

Zyrtarët e NATO-s në Bruksel thonë se vendosja e qëndrueshmërisë në Afganistan si dhe zgjerimi i NATO-s në lindje janë dy sfidat më të mëdha, me të cilat përballet aleanca. Të dyja këto sfida, thonë ata, do të përfshinin edhe angazhimin e Rusisë.//IB


XS
SM
MD
LG