Lidhje

Pentagoni: Nuk ka shenja se trupat ruse po tërhiqen nga Gjeorgjia

  • Al Pessin
  • Pentagon

Zyrtarë në Pentagon nuk kanë parë shenja se trupat ruse po kryejnë ndonjë tërheqje të dukëshme nga Gjerogjia, siç premtuan udhëheqësit e Rusisë kur nënshkruan një marrëveshje për armëpushim ditën e shtunë. Shtëpia e Bardhë thotë se për tërheqjen e trupave Rusisë nuk nevojitet më shumë kohë sesa iu desh për dërgimin e tyre në Gjeorgji.

Zëdhënësi i Pentragonit Brajan Uaitman thotë se ekspertë të Departamentit të Mbrojtjes nuk shohin shumë ndryshim në dislokimin e forcave ruse në Gjeorgji.

“Forcat ruse që nuk ndodheshin atje para 6 gushtit, që ishin pjesë e misionit paqeruajtës, duhet të tërhiqen në bazë të marrëveshjes së armëpushimit. Deri tani ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje të dukëshme.”

Zëdhënësi Waitman thotë se ministrat e Jashtëm të mbledhur në Bruksel e bënë të qartë se vendet evropiane do të rivlerësojnë lidhjet e tyre me Rusinë si rezultat i ndërhyrjes ushtrake në Gjeorgji. Zyrtarë amerikanë kanë thënë se pasojat që Rusia do të ndeshë do të varen pjesërisht nëse Moska zbaton marrëveshjen e armëpushimit për tërheqjen e trupave.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Xhondro thotë se për këtë tërheqje nuk duhen disa ditë.

“Për të hyrë në Gjeorgji, trupave ruse nuk iu deshën 3, 4 ditë. Prandaj atyre nuk do t’u duhej 3 ose 4 ditë për t’u tërhequr prej andej. Unë pres prej tyre që të fillojnë menjëherë tërheqjen, ashtu siç kanë premtuar. Ne duam që ata ta respektojnë këtë premtim.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë thotë se forcat ruse të dërguara në Gjeorgji pas 6 gushtit duhet të largohen prej andej dhe pastaj do të duhet të zhvillohen bisedime mbi statusin afatgjatë të trupave ruse, që janë dislokuar si paqeruajtës në krahinën separatiste të Osetisë Jugore prej 4 vjetësh.

Ndërkohë, përpjekjet e ndihmave amerikane vazhdojnë. Zëdhënësi i Pentagonit, Uaitman thotë se ndërmjetësit amerikanë po bashkëpunojnë me zyrtarët turq për të siguruar lejen për dërgimin e anijeve të tjera amerikane në Detin e Zi për të shpërndarë ndihma për Gjeorgjinë. Turqia kontrollon hyrjen e anijeve luftarake në këtë det në bazë të një traktati të vitit 1936.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, deri tani sasia e ndihmave amerikane nga ajri për Gjerogjinë ka arritur në 200 tonë. Ndër këto ndihma përfshihen materiale si çadra, shtretër, ushqime dhe furnizime mjekësore. (ze)

XS
SM
MD
LG