Lidhje

Dobins: Rusia nuk do të bëhet superfuqi botërore


Konflikti në Gjeorgji vazhdon të jetë në qendër të debateve ndërkohë që fuqitë botërore janë angazhuar në veprimtari diplomatike për të zgjidhur këtë problem. Por sa ndikim do të kenë ngjarjet në Gjeorgji në pozitën e shtetit të ri të Kosovës në botë? Si do të ndikojë ky konflikt në mardhëniet Rusi-Perëndim? A po shkon bota drejtë një lufte të re të ftohtë?

Konflikti në Gjeorgji solli kujtime të një kohe që shumë njerëz kishin menduar se nuk do të kthehej më. Ekspertët e krahasuan sulmin rus në Gjeorgji me atë të Bashkimit Sovjetik ndaj Hungarisë dhe Çekosllovakisë gjatë luftës së ftohtë, ndërkohë që e ardhmja e marrdhënieve të Perëndimit me Rusinë intepretohen nga këndvështrime të ndryshme.Në tërë këto debate një vend zuri edhe Kosova, e cila nga pala ruse shfrytëzohej si një lloj argumenti krahasues me Gjeorgjinë.

Por sipas ambasadorit James Dobbins, nuk është në interes të Rusisë që të bëhen krahasime mes interesave ruse në Gjeorgji dhe Kosovë. “Rusia siç e dimë nuk e ka pritur mirë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por nuk mendoj se është në interes të Rusisë ta paraqesë Kosovën si një rast precendenti sepse kjo do të thoshte që rajone separatiste brenda kufirit rus do të mund ta bënin një gjë të tillë”.

Zoti Dobbins mendon se krahasimi ndërmjet Kosovës dhe Gjeorgjisë nuk qëndron, duke pasur parasush edhe faktin sepse Kosova me zhvillimet që ndodhën atje, e bëjnë atë një rast të veçantë.“Kosova ishte viktimë e një spastrimi etnik me përmasa të mëdha. Në bazë të rezolutës 12-44, Serbia nuk kishte më sovranitet mbi Kosovën. Kjo rezolutë kërkonte gjithashtu që statusi i Kosovës të zgjidhej nëpërmjet një procesi ndërkombëtar, i cili ekzistonte dhe që bëri që shumica e vendeve të vinin në përfundimin se Kosova duhej të bëhej e pavarur”.

Gjeorgjia sikur edhe Kosova është një vend shumë pro amerikan me aspirata për t’u anëtarsuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara përkrahën fuqishëm të ashtuquajturin Revolucioni Trëndafil, i cili solli në pushtet presidentin gjeorgjian Sakashvili. Të dy vendet për një kohë të gjatë kanë pasur mardhënie shumë të mira.

Por kjo sipas zotit Dobbins i dha Tbilisit një ndjenjë vetëbesimi të tepruar, që ndoshta çoi në operacionin, që ndërmorri në Osetinë Jugore.“Mendoj se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë shumë të kujdesshme në marrdhëniet me Gjeogjinë, duke armatosur e stërvitur ushtrinë e saj, duke përkrahur anëtarsimin e saj në NATO. Kjo krijoi një ndjenjë tek udhëheqësit gjeorgjianë se në një rast krize si kjo e tanishmja, Gjeorgjia do të tërhiqte një përkrahje të madhe, gjë që nuk ndodhi”.

Ndërkohë që Perëndimi po këmbëngul për tërheqjen e trupave ruse në pozicionet para konfliktit në Osetinë Jugore, mbetet për t’u parë se si do të ndikojë kjo gjendje në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, dhe çfarë precedenti mund të krijojë ajo për vende të tjera me të njëjtat aspirata.

Konflikti në gjeorgji ka ngritur shumë shqetësime se bota po i kthehet sërish një lufte të ftohtë, por sipas ambasadorit James Dobbins, Rusia nuk do të mund ta ketë fuqinë që dikur gëzonte Bashkimi Sovjetik. Por do të jetë vetëm një fuqi rajonale. //IB

XS
SM
MD
LG