Lidhje

Mbërrijnë ndihmat e para në Gjeorgji


Ndihma amerikane për Gjeorgjinë filloi të mbrrijë në qytetin Kaspi ndërkohë që trupat ruse nuk dhanë shenja se po tërhiqen për të përmbushur zotimin e tyre, se do të largoheshin nga ky rajon brënda dy ditësh. Pushtimet e qyteteve si Kaspi dhe Gori nga trupat ruse kanë lënë mijëra njerëz pa furnizime ushqimore.

Zyrtarë të qytetit, të cilët po pranojnë ndihmat, thanë se ato janë të mirëpritura, por jo të mjaftueshme.

"Ne mirëpresim këto ndihma, por fatkeqsisht kemi rreth 7 mijë refugjatë dhe kemi marrë vetëm 2 mijë pako ndihmash. Pra po presim të marrim edhe ndihma të tjera në mënyrë që të ndihmojmë të gjithë refugjatët", thotë Levan Demetrashvili, anëtar i bordit drejtues të qytetit Kaspi.

Kryqi i kuq lajmëroi dje se do të dergonte punëtorët tij në kryeqytetin e Osetisë Jugore Ckinvali për herë të parë që nga shpërthimi i luftimeve atje. Kjo u arrit pas bisedimeve ndërmjet kreut të kësaj organizate dhe ministrit rus të punëve të jashtme Sergei Lavrov. Qyteti i Ckinvalit ka qenë skenë e disa prej luftimeve më të tmerrshme ndërmjet ushtrisë gjeorgjiane dhe rebelëbe të Osetisë jugore të përkrahur nga trupat ruse. Qyteti momentalish ndodhet nën kontrollin rus.

Një marrëveshje armpushimi parashikon që trupat ruse të tërhiqen në pozicionet e tyre që mbanin para fillimit të konfliktit. Por ka pasur shumë pak shenja se trupat ruse po e plotësojnë këtë kërkesë të marrëveshjes dhe tensionet e vazhdueshme e kanë bllokuar vendin.

Në rrugën ndërmjet Tbilisit dhe qytetit të Gorit shoferët e kamionëve prisnin leje nga policia gjeorgjiane për të kaluar një pikë kontrolli. Një shofer turk i tha agjensisë Associated Press se ai ishte ndalur aty për më tepër se një javë por shpresonte që trupat ruse do të tërhiqeshin dhe ai do të mund të kthehej në Turqi.

Dje Rusia ndërmorri hapat e parë për tërheqje nga Gjeorgjia me tërheqjen e një kolone të vogël tankesh të cilat u larguan nga qyteti Gori. Presidenti gjeorgjian Mikail Skashvili tha dje se Rusia jo vetëm se nuk po u përmbahej zotimeve për tërheqje por trupat e saj vazhdonin të shkatërronin infrastrukturën e vendit të tij.

Ndërkohë trupat ruse mund të shihen ende në pozicionet e tyre përreth qytetit Gori. //mm//

XS
SM
MD
LG