Lidhje

SHBA: Pjesëmarrja e madhe e votuesve mund të krijojë probleme në qendrat e votimit


Numri i votuesve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit në Shtetet e Bashkuara pritet të rritet, pas pjesëmarrjes rekord në zgjedhjet paraprake në disa shtete në fillim të vitit. Ekspertët thonë se ky hov i ri votuesish mund të krijojë probleme në qendrat e votimit veçanërisht në shtetet që kanë futur teknologjinë e re.

Shumë votues të rinj pritet të votojnë në zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Disa nga ata do të jenë shtetas të rinj amerikanë, të cilët do të votojnë për herë të parë. Në ceremonitë e marrjes së nënshtetësisë amerikane punonjësit e regjistrimit të votuesve janë përpjekur të regjistrojnë shtetasit e rinj. Punonjës të partisë republikane dhe demokrate po provojnë të gjitha mënyrat që të rrisin numrin e përkrahësve të tyre në ç'ka pritet të jenë zgjedhje të forta në Shtetet e Bashkuara.

Në Majemi numri i votuesve të regjistruar është rritur gjatë viteve të fundit. Zoti Karlos Pereira nga Qendra e Orientimit për Emigrantë thotë se zgjedhjet kanë ngjallur shumë interes tek votuesit hispanikë.

"Regjistrimi i votuesve ështja çështje me shumë rëndësi për momentin tek votuesit hispanikë. Jo vetëm për këto zgjedhje, por prej vitesh ka pasur një farë nevoje urgjente të votuesve për të zgjidhur çështje si reforma e emigracionit dhe përmirësimi i ekonomisë".

Numri i votuesve që morën pjesë në zgjedhjet paraprake presidenciale ishte më i lartë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Numri i tyre u dyfishua në Florida, Ajova, Virxhina, Arizona dhe shtete të tjera kyçe për vitin 2004. Disa ekspertë thonë se kjo rritje pritet të vazhdojë gjatë zgjedhjeve të nëntorit.

Kevin Uagner, një politilog në Universitetin Florida Atlantik thotë se zyrtarët zgjedhorë duhet të përgatiten për shifra të mëdha votuesish. Ai thotë se numri i votuesve mund t'u hapë probleme si shteteve që lejojnë votimin e parakohshëm ashtu edhe shteteve që mbajnë votimet në ditën e zgjedhjeve.

"Me siguri që sivjet do të kemi votues të rinj. A votojnë ata më herët? A dinë ata të votojnë më herët? Kjo mund të shkaktojë probleme me pajisjet elektronike të votimit sepse një numër i madh votuesish nuk e njohin teknologjinë e re".

Zyrtarë zgjedhorë në Florida kanë nisur të marrin masa për probleme të mundshme me teknologjinë e re të votimit. Florida dhe disa shtete të tjera kanë nisur të zëvëndësojnë format elektronike të votimit me fletëvotime. Proçesi i votimit lexohet nga një skaner optik i cili arkivon edhe fletën e votimit në rast se ka një rinumërim të votave.

Denis Konklin nga konteja Brauard në Florida u mëson votuesve në Florida sesi të votojnë me metodën e re. Ai thotë se që prej muajit gusht votimi në të gjithë shtetin duhet të bëhet me fletëvotim. Çdo konte vendos sesi do të votohet, por votimi duhet të bëhet me letër.

Ligjvënësit e Floridas zëvëndësuan pajisjet elektronike me fletëvotimi pas shqetësimeve që kishin për sigurinë e aparateve elektronike të votimit. Shumë prej tyre nuk kanë pasur ndonjë regjistrues në letër të votave duke rritur akoma më shumë frikën për falsifikimin e votave.

Kevin Uagner thotë se shpreson që skanerët e rinj optikë do t'i ulin këto shqetësime.

Zyrtarë zgjedhorë vazhdojnë t'u tregojnë votuesve sesi të shënojnë votën e tyre në mënyrë që të gjitha votat të numërohen. Votimet për poste lokale në Florida këtë muaj do të jenë testi i parë për teknologjinë e re të skanerit optik. (ze)

XS
SM
MD
LG