Lidhje

Ambjentalistët kërkojnë mbrojtje për tokat e paprekura


Organizatat ambjentaliste dhe komunitetet lokale shpresojnë që gjatë pak javëve të ardhshme Kongresi të miratojë ligje të cilatg shënojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes për më shumë se 800 mijë hektarë toka të paprekura në disa shtete amerikane. Një nga këto zona ndodhet në shtetin e Virxhinias Perëndimore.


“Ёshtë e çuditshme se sa pak njerëz vijnë në pyll për të parë si jeton një pishë, si rritet dhe ngre degët lart, drejt dritës për të arritur suksesin e saj.”


Me një poezi të autorit të shekullit të 19-të Henri Dejvid Toro, Dejv Savil flet për vite pune në mbrojtjen e pyjeve më të bukura të Maleve Apalashe të Virxhinias perëndimore. Zoti Savil është koordinator i Koalicionit për Mbrojtjen e Tokave të Paprekura të Virxhinias Perëndimore. Ai thotë se dikur pisha të kuqe mbulonin gjithë rajonin.


“Këtu në malet Apalashe kemi një përzierje llojesh nga veriu dhe jugu që i bëjnë këto mes pyjeve më të pasura në botë për sa i përket shumëllojshmërisë biologjike. Ky është një ekosistem i rëndësishëm për të gjithë globin.”
- tha ai

Në Virxhinian Perëndimore, malet Apalashe shtrihen brenda Pyllit të madh kombëtar të Monongahelës.
Për afro një shekull, pylli është përdorur për të mbledhur dru, për nxjerrje mineralesh dhe për zbavitje. Por, përrenjtë dhe ujëvarat e tij të paprekura kanë bërë që kjo zonë të përfshihet në një listë të vogël rajonesh, të cilat Kongresi po i diskuton për t’i dhënë mbrojtjen maksimale nga veprimtaritë njerëzore.
Zoti Savil thotë se zona të gjera të Pyllit të Monongahelës ndodhen në lartësi të mëdha. Ato nuk janë vetëm korridore për zogjtë shtegtarë, por edhe vendbanime të disa specieve të kërcënuara.
Zoti Savil ndjehet si në shtëpinë e tij kur është në pyll, dhe i tregon me radhë speciet e një ekosistemi delikat.

“Këto pika të vogla lëngu janë shumë ngjitëse. E shihni si më ngjiten gishtërinjtë? Insektet ulen në këto gjethe dhe ngjiten. Pastaj gjethi mblidhet rreth insektit dhe e tret atë.” - thotë zoti Savil

Ekonomia e Virxhinias Perëndimore bazohet tek minierat e qymyrgurit si dhe në industrinë e drurit. Zoti Savil thotë se nën sipërfaqe ka qymyrguri, gaz dhe naftë dhe zona mund të bjerë pre e një zhvillimi urban dhe minerar. Megjithatë, ai thotë se ekonomia po ndryshon.

“Industria e turizmit është industria e dytë më e rëndësishme në shtetin tonë.” - shton ai

Politikanët lokalë, grupet fetare dhe biznesmenët nuk kanë bërë ndonjëherë koalicion për problemet e mjedisit. Por tani, ata kanë filluar ta shohin eko-turizmin si një mundësi të re.
Çip Çejs është pronar i një prej qendrave më të vjetra dhe më popullore të skive këtu. Ai dhe klientela e tij duan që pyjet të mos preken në mënyrë që të gjithë të mund t’i shijojnë.

“Kemi qenë aktivë si njerëz të biznesit dhe si individë në këtë aspekt,” thotë Çejs.

Brendon Denison është udhëheqësi i presbiterianëve të rinj në këtë shtet. Ai është pjesë e një koalicioni më të gjerë fetar që përpiqet të mbrojë tokat e paprekura dhe organizon shpesh eksursione me grupe në këto pyje.

“Është e habitëshme se si fëmijët reagojnë shpirtërisht kur i shohin këto pyje të paprekura. Besoj se këta fëmijë arrijnë të përjetojnë ndjenjën e Zotit në këtë qetësi.” - thotë ai

Alpinistë dhe amatorë vijnë nga i gjithë vendi. Ky çift së bashku me qenin e tyre kanë ardhur nga shteti Ohajo për të kaluar disa ditë në pyll.

Fushata për Tokat e Paprekura të Amerikës, një koalicion organizatash publike dhe private, ka nxitur Kongresin të miratojë ligje për mbrojtjen e më shumë se 800 mijë hektarëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Pyllin Kombëtar të Monongahelës. Lista përfshin ekosisteme delikate si Sierrat Lindore në Kaliforni, Malet Roki në Kolorado, dhe Parkun Kombëtar Tumakakori në Arizonë.

Drejtori i fushatës Majk Mac thotë se në parqet kombëtare lejohen prerja e druve, shpimet dhe ndërtimet. Por ato ndalohen në zonat e caktuara si toka të paprekura.

“Kjo garanton një nivel mbrojtjeje shumë më të mirë se atë të një parku apo pylli kombëtar, sepse e lë zonën ashtu siç është.” - thotë ai

Zoti Mac thotë se më pak se 5 përqind e tokës amerikane është e klasifikuar si tokë e paprekshme.


“Shërbimet Amerikane të Pyjeve na kanë thënë se ne humbim 2,428 hektarë tokë të lirë në ditë. 1,6 hektarë në minutë bien pre a zhvillimit. Pra, ky vend i lirë kthehet në qendër dyqanesh, ndërtesash, vendesh parkimi, dhe lagjesh me shtëpi të reja.”

Ndërkohë që zhvillimi vazhdon të mbërthejë pyjet, në Virxhinian Perëndimore Dejv Sevill vazhdon punën në tokat e paprekura me shpresë se vendet që ai i konsideron si të shenjta do të mbrohen së shpejti.

“Çdo krijesë është më mirë e gjallë se e vdekur. Njerëzit, drerët dhe pishat, si dhe ata që e kuptojnë si duhet, do ta ruanin jetën më parë se ta shkatërronin atë...”

//mm//

XS
SM
MD
LG