Lidhje

SHBA kërkojnë mënyra për të pakësuar varësinë nga nafta


Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpenzojnë 600 milionë dollarë gjatë viteve të ardhshme për zhvillimin e karburanteve të ripërtërishme dhe zgjidhje të reja energjie. Ky fond i bashkangjitet atij që investitorët privatë po shpenzojnë për të gjetur mënyra më të mira për të paksuar varësinë e vendit nga nafta.

E ardhmja e formave alternative të energjisë duket të jetë e mirë qofshin këto biokarbure të reja, prodhimi i naftës nga lëkura e qitros, apo prodhime nga tepricat bujqësore.

Gjatë një konference të mbajtur kohët e fundit në Florida, sipërmarrës ambientalistë u takuan me kërkimtarë dhe fermerë për të diskutuar mbi të ardhmen e kësaj industrie. Shumë firma kërkimore po zhvillojnë metoda shndërrimi në etanol të disa lëndësh të papërpunuar. Fermerët po gjejnë mënyra sesi të shndërrojnë produkte si drithëra joushqyese dhe pleh në enrgji.
Sekretari i bujqësisë, Ed Schafer u tha delegatëve se energjia ambientaliste po krijon mundësi të mëdha për ekonominë amerikane, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.

Nuk ka më kthim prapa nga një e ardhme në të cilën më shumë burime energjitike krijohen dhe pasurohen në një mënyrë të pastër. Kjo do të thotë se bujqësia do të marrë një rol aktiv në këtë fushë.- tha ai

Sekretari Schaffer tha se një projekt-ligj i ri i aprovuar për bujqësinë u kërkon autoriteteve të shpenzojnë 600 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme që të zhvillojnë dhe të vënë në zbatim teknologji të reja të energjisë përfshirë këtu krijimin e biokarbureve nga drithërat. Kjo shumë do t’u shtohet 35 milionëve që janë shpenzuar deri më tani.

Sipërmarrësit ambientalistë thonë se mbështetja federale është kyçe për të çuar përpara teknologjitë e duhura për forma të reja të energjisë. Kreditë federale po kështu janë një mjet i rëndësishëm që do t’i mundësonin projekteve të reja të bëheshin biznese të sukesshme.

Disa udhëheqës biznesi thonë se edhe këto shpenzime të qeverisë nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat për naftë në Shtetet e Bashkuara ku konsumohen rreth 20 milionë fuçi në ditë. Sekretari i Bujqësisë Schafer iu përgjigj disa pyetjeve të vështira gjatë një konference me udhëheqës të biznesit të mbajtur rishtazi.

Një nga ata tha se investimi i 30, 50, apo 100 miliona dollarëve është një shumë tepër e vogël në krahasim me mundësitë dhe madhësinë e këtij problemi.
Zoti Schaffer tha se duhen shpenzuar më shumë para, ndaj sic tha ai, edhe investimet private duhen shtuar.

Në Florida, zyrtarët thonë se po mundohen të përfitojnë sa më shumë nga zhvillimi në teknologjinë ambjentaliste. Guvernatori Çarlie Krist mendon të shtojë programet kërkimore në fushën e energjisë në universitetet shtetërore dhe po kërkon më shumë energji nga burimet e ripërtërishme. Zoti Krist thotë se qëllimi i tij është të tërheqë më shumë biznese në këtë shtet.

Besoj se Florida mund të bëhet qendra e teknologjisë ambientaliste në Amerikë. Florida po kështu mund të bëhet e njohur si një nga udhëheqëset e industrisë ambjentaliste në botë.- tha z.Krist

Ndërsa Alan Hodges, nje ekonomist i bujqësisë në Universitetin e Florida e ka ndjekur fushën e energjisë së rinovueshme për më shumë se 20 vjet. Ai thotë se nismat federale dhe shtetërore kanë krijuar një klimë të favorshme për zhvillim në këtë fushë.
Por, në të kaluarën interesi i qeverisë dhe i sektorit privat në fushën e formave të reja të energjisë është larguar ashtu siç kishte ardhur.

Që prej krizës së naftës në fund të viteve 70, Joseph Weissman nga Aurora Biofuels ka bërë kërkime në mundësinë e rritjes së algës si një burim energjie. Teksa disa lloj algash rriten, ato prodhojnë vajra të cilat mund të shndërrohen në naftë. Zoti Weissman thotë se fondet e qeverisë bënë të mundur që ai të ecte përpara me kërkimet e tij derisa çmimet e naftës u ulën disa vite më vonë kur edhe fondet publike u zhdukën.

Kërkuesit thonë se është e vështirë të thuash me siguri nëse alga apo teknologji të tjera janë më premtueset në të ardhmen dhe kur publiku mund të përfitojë nga to. Por ata bien dakord se çmimet e energjisë do të vazhdojnë të jenë të larta duke rritur interesimin në burimet e reja të energjisë në të ardhmen. //mm//

XS
SM
MD
LG