Lidhje

Nis në Denver, Kuvendi i Partisë Demokrate


Ndoshta objektivi kryesor që demokratët kanë në kuvendin e partisë së tyre në Denver të Kolorados, është të krijojnë imazhin e një amerikani të vërtetë për kandidatin e tyre Barack Obama. Kuvendi katër ditor do t’ju japë demokratëve mundësinë të bëjnë të njohur zotin Obama para një audience televizive prej të paktën 20 milionë njerëzish. Demokratët po bëjnë gjithashtu përpjekje për t’i bërë amerikanët më të afërt me një kandidat që ka një të kaluar shumë të veçantë.

Demokratët shpresojnë që Barak Obama, senatori në mandatin e tij të parë, të hyjë në histori si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.

47 vjeçari Obama është djali i një babai kenian dhe një nëne të bardhë amerikane. Ai u rrit në Hawaii dhe Indonezi.

Historia e tij e pazakontë, e ndërthurur me racën dhe emrin që tingëllon i huaj, shtojnë sfidat që janë të panumërta për një kandidat presidencial.

Zoti Obama ka thënë hapur se biografia e tij nuk është ajo tipike e një presidenti modern amerikan, dhe ka pranuar se raca e tij do të jetë pengesë për të fituar votuesit.

Shefi i strategjisë së fushatës së zotit Obama, David Axelrod, thotë se historia personale e kandidatit do të jetë mesazhi kryesor në kuvend.

“Djali i një nëne të braktisur, që u ngrit në karrierë dhe më pas u kthye për të punuar me komunitetet që u ndikuan nga mbyllja e uzinave të çelikut – kjo është historia që do të tregojmë. Por do të tregojmë gjithashtu historinë e asaj që ka ndodhur në vendin tonë nën politikat e gabuara të Uashington. Dhe do ta paraqesim këtë kontrast pa rezerva”. - tha ai

Gjatë kuvendit të Denverit, bashkëshortja e zotit Obama dhe një numër folësish të tjerë do ta paraqesin atë tek elektorati si një njeri familjar me vlera amerikane.

Kandidati do të mundohet pastaj ta përforcojë këtë mesazh dhe do të përpiqet t’i përkufizojë zgjedhjet si kohë për ndryshim.

Në këtë moment përcaktues në historinë tonë, me vendin në luftë dhe ekonominë në recesion, e dimë mirë se populli amerikan nuk mund të përballojë dot katër vjetë të tjera me të njëjtat politika të dështuara dhe me të njëjtën politikë të vjetër të Uashingtonit.- ka thënë gjatë paraqitjeve të tij elektorale senatori Obama

Profesor Robert Dudley është kreu i departamentit të shkencave politike në Universitetin George Mason.
Ai thotë se dy objektivat strategjike të kuvendit janë t’i bëjnë votuesit të afrohen me Barack Obamën dhe ta lidhin qartë kandidatin republikan John McCain me politikat e brendshme dhe të jashtme të administratës Bush.

Ai duhet të demonstrojë se është një njeri i fortë dhe me eksperiencë dhe duhet të lidh kundërshtarin e tij me administratën e tanishme. - shtoi z.Dudley

Analistët thonë se një detyrë tjetë kritike për demokratët në Denver është bashkimi i partisë pas betejës së ashpër mes zotit Obama dhe senatores Hillary Clinton në zgjedhjet paraprake.

Zonja Clinotn do të mbajë një fjalim në kuvend dhe profesori Dudley i Universitetit George Mason thotë se fjalimi i saj do të jetë kritik.

Mendoj se Obama do ta ketë të vështirë pa disa nga përkrahësit e zonjës Klinton. Nuk mendoj se do të jetë e lehtë edhe me përkrahjen e zonjës Klinton për zotin Obama. Mendoj se do të jetë e vështirë për disa nga përkrahësit e saj. Ata ndoshta nuk do të bashkohen kurrë me të dhe nëse do ta bëjnë këtë do të jetë në fund të fushatës.

Kuvendi i demokratëve do të jetë hera e parë që shumë amerikanë do ti kushtojnë vëmendje fushatës së përgjithshme të zgjedhjeve dhe anketat tregojnë se gara është e ngushtë.

Demokratët shpresojnë se programet e koreografuara me kujdes do ta shkëlqejnë imazhin e senatorit Obama ndërsa do ti japin atij një ngritje të ndjeshme apo një lëvizje të lehtë në anketat e opinionit kur ai të largohet nga Denveri dhe të përqëndrohet në zgjedhjet e nëntorit. //mm//

XS
SM
MD
LG