Lidhje

Në Denver të Kolorados hapet kuvendi i Partisë Demokrate


Mijëra demokratë po mblidhen në Denver të Kolorados për kuvendin e partisë së tyre që hapet sot. Kuvendi i këtij viti do të shënojë një ngjarje të historike, duke emëruar Senatorin Barak Obama, si kanidatin e Partisë Demokrate për President, afrikano-amerikani i parë që zgjidhet si kandidat i një partie të madhe.

Aktivitetet në Denver kanë qënë të shumta në prak të Kuvendit. Demokratë nga i gjithë vendi kanë mbërritur në këtë qytet ku janë marra masa të forta sigurimi përreth arenës sportive ku do të mbahet kuvendi.

Disa qindra protestues kundër luftës marshuan pranë arenës sportive dje, por pa shkaktuar ndonjë incident. Pritet që gjatë kësaj jave të zhvillohen demonstata të tjera.

Senatori Obama shkon në kuvend me shpresën se kandidatura e Senatorit Bajdën, nga Delaver si për nënpresident do t'i shtojë shanset e tij për postin më të lartë të vendit.

"Ai është një zyrtar që gjendet kudo pranë zgjedhësve dhe mjaft aktiv në Kongres, po aq interesuar edhe për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare".

Senatori Obama u paraqit të shtunën në publik me Senatorin Bajdën në një miting në Springfield të shtetit Illinoi.

"Ai ka kurajon për ta bërë këtë një vend më të mirë. Por më lejoni t'iu them edhe një gjë tjerët, ky burrë është një individ pragmatik me vizion të qartë, që do të jetë në gjendje ta bëjë punën mirë".

Momenti kulmor i kuvendit katër ditor të demokratëve do të jetë të enjten kur Senatori Obama do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë së tij për president, me një fjalim të shumëpritur në praninë e 70 mijë njerëzve dhe që do të transmetohet në televizion në gjithë botën.

Ndërkohë që Amerika është në prak të fillimit të kuvendit të demokratëve, anketat tregojnë se gara për në Shtëpinë e Bardhë mes Senatorit Obama dhe rivalit të tij republikan, Senatorit Xhon Mekein nga Arizona është e ngushtë. Zoti Mekein do të marri zyrtarisht emërimin si kandidat për president në kuvendin Partisë Republikane javën e ardhëshme në Mineapolis-St. Pol, Minesota.

Demokratët shpresojnë që përvoja e pasur e Senatorit Bajden në politikën e jashtme do ta ndihmojë Senatorin Obama në opinionin publik, pasi besimi i zgjedhëseve tek Senatori Mekein për të trajtuar çështje të politikës së jashtme dhe të sigurimit kombëtar është më i madh.

Sondazhet e reja të opinionit tregojnë se demokratët në përgjithësi e mirëpresin zgjedhjen që bëri Senatori Obama për postin e nënpresidentit.

Senatori Mekein tha në një intervistë televizive se Senatori Bajdën është një zgjedhje e zgjuar nga ana e rivalit të tij dhe ai do të jetë një kundërshtar i fortë në zgjedhje.

Por fushata e zotit Mekein nxori me shpejtësi një reklamë televizive që tregon zhgënjimin e mbështetësve të Senatores Hillari Klinton për zgjedhjen që bëri Senatori Obama.

"Ajo fitoi miliona vota, por nuk u zgjodh prej tij. Pse? Sepse ajo thotë të vërtetën. E vërteta është e hidhur dhe kjo nuk i pëlqen Obamës".

Zyrtarët e fushatës së Senatorit Obama po përpiqen t'i lënë në hije këtë javë tensionet me përkrahësi e zonjës Klinton.

Këshilltarja e zotit Obama, Anita Dan i tha kanalit televiziv cabllor, CNN, se demokratët po përqendrohen tek uniteti i partisë.

"Për mendimin tim, nëse flasim me njerëzit në Denver, nuk do të shikonim ndonjë zhgënjim të madh. Ajo që ka më shumë rëndësi për ta është se ne nuk duam edhe katër vjet të tjerë me të njejtën politikë".

Senatorja Klinton do të flasë në kuvend të martën ndërsa ish presidenti Bill Klinton të mërkurën, kur do të flasë edhe Senatori Bajdën. //iç//

XS
SM
MD
LG