Lidhje

Dollari i dobët shton eksportet amerikane


Megjithë rënien ekonomike, prodhuesit amerikanë po shohin një rritje të eksportit. Sipas një raporti të Departamentit të Tregtisë, eksporti në tremujorin e dytë të vitit 2008 u rrit 9.8 përqind, si rrjedhojë e vlerës së ulët të dollarit. Shumë eksportues amerikanë po përfitojnë nga dollari i dobët, gjë që i bën mallrat amerikane në tregun botëror më të lira.

Ky port detar në afërsi të Nju Jorkut, këto ditë ka shumë punë. Eksporti i mallrave amerikane po rritet shumë. Në tremujorin e parë të vitit, sipas statistikave, eksportet janë rritur 5,1 përqind ndërsa në tremujorin e dytë kjo shifër gati u dyfishua. Kompani si kjo e prodhimit të makinerive e quajtur Caterpillar, po shënojnë fitime rekord megjithë rënien e ndërtimeve në Shtetet e Bashkuara. Por edhe kompanitë e vogla po përfitojnë nga rënia e dollarit. Jonah Zuckerman drejton kompaninë e mobiljeve City Joinery në Nju Jork.

Kjo kompani mobiljesh luksoze që u themelua para 13 vjetësh ka 9 punëtorë të cilët deri para një viti merrnin nga vetëm një porosi në vit nga jashtë. Tani gjendja ka ndryshuar.

"Kisha një klient nga Koreja, i cili dëshironte t’i shiste prodhimet e mija në Kore. Në fillim unë as që e merrja këtë seriozisht".

Vitin e kaluar, thotë Zuckerman, ai ka marrë porosi të mëdha edhe nga Irlanda dhe Britania. Vitin tjetër ai mendon ta zgjërojë kompaninë e tij edhe më tepër.

”Po zgjerohet shpejt dhe vitin tjetër do të marr pjesë në panaire në Evropë, gjë që nuk e kam bërë kurrë më parë".

Ai thotë se do të marrë pjesë në panairin e mobilejeve në Këln të Gjermanisë në fillim të vitit 2009.

Ekonomistët e shohin një rritje të tillë të eksportit në mbarë Shtetet e Bashkuara. Ja ç’thotë Lakshman Achutan i institutit të Studimeve Ekonomike.

"Dollari i dobët ka qenë një ndihmë e madhe në këtë periudhë të rënies ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe padyshim është një faktor që nuk kemi pasur një recesion të madh".

Për kompaninë City Joinery dhe ekonominë amerikane, kjo rritje e eksporteve vjen në një kohë shumë të përshtatshme. Pa përfitimet e eksporteve sipas departamentit të tregtisë, ekonomia amerikane do të kishte shënuar rritje negative në tremujorin e dytë por falë këtyre eksporteve, ajo shënoi një rritje prej 1,9 përqind. Por disa ekonomistë parashikojnë se edhe ekonomia globale do të filloj të bie, dhe kjo do të kishte një ndikim te eksportuesit.

”Në gjashtë muajt e fundit klientët ndërkombëtarë kanë bërë shumicën e porosive dhe kjo është një gjë e re për mua dhe nuk e di se sa do të vazhdojë".

Zoti Zuckerman thotë se baza e klientëve të tij dikur ishte në Wall Street por ata klientë janë larguar tani për muaj të tërë. Analistët thonë se klientët ndërkombëtarë janë baza e kompanive si City Joinery dhe të paktën tani për tani kjo po e ndihmon ekonominë e dobët në Shtetet e Bashkuara.//rd//

XS
SM
MD
LG