Lidhje

Fjalimi i senatores Klinton në Kuvendin e Partisë Demokrate


Në ditën e dytë të kuvendit të Partisë Demokrate, senatorja Hillari Klinton do të përpiqet të bindë përkrahësit e saj që të rreshtohen pas senatorit Barak Obama. Pas një mbrëmjeje me fjalime emocionuese nga senatori Ted Kennedy dhe gruaja e senatorit Obama, Mishele Obama, sonte kuvendi do të përqëndrohet tek votuesit që janë prekur nga gjendja ekonomike e vendit dhe që janë të shqetësuar rreth sigurimit shëndetsor.

Pas një gare shumë të fortë në zgjedhjet paraprake ndërmjet senatorëve Obama dhe Klinton, shumë përkahës të saj janë ende të zemëruar për humbjen si dhe nga fakti që ajo nuk u zgjodh për postin e nënpresidentes.

Detyra e saj sonte do të jetë të bindë këta përkrahës që të votojnë për Barak Obamën në zgjedhjet e nëntorit dhe të bëjë të qartë se ajo vetë beson se kandidati Obama është i kualifikuar për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara. Sondazhet tregojnë se një numër i madh i përkrahësve të senatores Klinton thonë se do të votojnë për senatorin Mekejn në zgjedhjet e nëntorit.

Në mbrëmjen e parë, kuvendi u përqëndrua në jetën dhe vlerat e senatorit Obama. E shoqja e tij Mishele, u përpoq ta përshkruajë atë në një mënyrë të thjeshtë dhe personale. Në fjalimin e saj para delegatëve entuziastë ajo tha se të dy ata vinin nga familje të njejta të klasës punëtore me përkushim për punë dhe shërbim ndaj vendit dhe se ata si miliona amerikanë kanë të njejta shpresa dhe ëndërra për fëmijët e tyre.

"Baraku dhe unë jemi përpjekur ta ndërtojmë jetën tonë bazuar në këto vlera dhe t’ua përcjellim ato brezit të ardhshëm sepse ne dëshirojmë që fëmijët tanë, dhe fëmijët e të gjithë vendit ta dinë se kufiri i mundësive është po aq i lartë sa kufiri i ëndërrave dhe dëshirave për të punuar e për t’i arritur ato mundësi".

Mishele Obama premtoi se nëse burri i saj zgjidhet president, të dy ata do ta ndjenin veten të detyruar për të luftuar siç u shpreh ajo, për “një botë ashtu si duhet të jetë.” Ajo gjithashtu iu përgjigj akuzave të republikanëve se ajo është një person i zemëruar dhe jopatriote, duke theksuar se ajo e donte vendin e saj për mundësitë që i kishte dhënë asaj dhe Barakut si dhe shumë njerëzve të tjerë.

Pas fjalimit, asaj ju bashkuan në skenë edhe të dy vajzat të cilat folën me të atin përmes një videokonference, gjë që la shumë mbresa tek të pranishmit. Kjo pamje u dha rastin miliona amerikanëve të shohin se si do të dukej familja e parë amerikane, nëse senatorit Obama zgjidhet president.

Një moment tjetër shumë prekës ishte nderimi që ju bë senatorit Ted Kennedy, një veteran i senatit amerikan i cili vuan nga kanceri në tru. Senatori Kenedi është i vetmi vëlla që është ende gjallë, pasi dy vëllezërit e tij, Xhek dhe Bobby janë vrarë. Pas diagnostikimit me kancer, nuk ishte e sigurt në se ai do të merrte pjesë në kuvendin e Partisë Demokrate, por ai i befasoi shumë me paraqitjen e tij mbrëmë dhe me fjalimin e tij të zjarrtë.

”Kam ardhur këtu sonte për të qëndruar me ju, për të ndryshuar Amerikën, për t’ia ripërtërirë të ardhmen, që të ngrihemi në idealet tona dhe ta zgjedhim Barak Obamën president të Shteteve të Bashkuara".

Ndër ata që do të mbajnë fjalime sonte, veç senatores Klinton do të jenë edhe ish guvernatori i Virxhinias Mark Warner si dhe disa amerikanë të zakonshëm të cilët ballafaqohen me vështirësi ekonomike dhe sfida të tjera. //rd//

XS
SM
MD
LG