Lidhje

SHBA dënon njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë nga Rusia


Shtetet e Bashkuara dënuan njohjen nga ana e Rusisë të pavarësisë së dy rajoneve të Gjeorgjisë, atë të Osetisë Jugore dhe Abkazisë. Presidenti Bush i bëri thirrje Moskës të rishqyrtojë këtë vendim. Zyrtarët amerikanë pohojnë se nuk ka mundësi që Kombet e Bashkuara t'i pranojnë në gjirin e saj këto dy rajone që kufizohen me Rusinë si shtete të pavarura.

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan aleatëve të tyre evropianë dhe hodhën poshtë njoftimin për njohje, ndërsa Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë veprim mbi Abkazinë dhe Osetinë Jugore si njërin nga vendimet e pa-arsyeshme të Moskës.

Presidenti rus Dmitri Medvedev reagoi një ditë pasi Parlamenti Rus në Moskë votoi për të njohur pavarësinë e dy rajoneve gjeorgjiane dhe ngulte këmbë se Moska është detyruar të ndërmarrë këtë hap pas përpjekjeve të Gjeorgjisë për të futur nën kontroll Osetinë Jugore në fillim të këtij muaji.

Presidenti Bush në një deklaratë me shkrim nga Teksasi tha se ky veprim nuk bën gjë tjetër veçse ngre tensionin dhe ndërlikon diplomacinë në krizën e Gjeorgjiane dhe i bëri thirrje Moskës të ri-shqyrtojë këtë vendim të pa-përgjegjshëm.

Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs gjatë një konference shtypi në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor tha se vendimi i Moskës për t'i njohur këto zona si shtete të pavarura, të cilat dihet se ndodhen brenda kufirit të Gjeorgjisë është për të ardhur keq, dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të mbështetura nga Moska përfshirë armëpushimin e fundit me Gjeorgjinë.

"Kjo, natyrisht vë Moskën në kundërshtim me një numër rezolutash të OKB-së në të cilat është palë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, si anëtare e OKB-së dhe posaçërisht si njëra prej 5 anëtareve të Këshillit të Përhershëm të Sigurimit. Armëpushimi flet gjithashtu lidhur me rëndësinë e lëvizjes përpara në drejtim të një zgjidhjeje ndërkombëtare të zonave të konfliktit. Pra, shkelja e këtyre diskutimeve ndërkombëtare është me të vërtetë për të ardhur keq. Për këtë gjë kanë paralajmëruar si Shtetet Bashkuara ashtu edhe Evropa."

Zonja Rajs tha se çdo përpjekje nga ana e Moskës për t'a bërë të vlefshme njohjen e këtyre dy rajoneve si shtete të pavarura në Këshillin e Sigurimit do të hidhen poshtë menjëherë.

Sekretaria Rice tha se disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të mbështetura nga vetë Moska njohin pavarsinë dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë me kufinjtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë këtu dy rajonet në fjalë.

Rusia pohon se vendet perëndimore minuan argumentet për pa-prekshmërinë e kufinjve gjeorgjianë duke njohur pavarsinë e Kosovës nga aleatja e Moskës, Serbia në fillim të këtij viti.

Por zyrtarët amerikanë dhe evropianë pohojnë se Kosova ishte një rast i veçantë dhe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte autorizuar pavarësinë kur emëroi të dërguarin e posaçëm Marti Ahtisari për të gjetur një zgjidhje pasi negociatat midis Kosovës dhe Serbisë dështuan.

Një zyrtar i lartë amerikan i cili foli para gazetarëve këtu në Uashington tha se ai nuk pret që shumë vende do të ndjekin shembullin e Rusisë për t'i njohur këto dy zona si vende të pavarura dhe se Moska po e izolon veten me manovra të papranueshme diplomatike. //bsa//

XS
SM
MD
LG