Lidhje

Ngrohja globale, astma dhe alergjitë. Kanceri i prostatës. Dy barna shpresëdhënëse kundër alcajmerit



Ngrohja globale nxit asthmën dhe alergjitë

Sipas përllogaritjeve temperatura e planetit tonë gjatë këtij shekulli pritet të bëhet 4 gradë më e ngrohtë. Ekspertët thonë se temperaturat më të ngrohta kanë filluar t’i bëjnë stinët e pranverës dhe verës edhe më të vështira për ata që vuajnë nga alergjitë dhe astma.

Në se disave u duket se stina e alergjive ka filluar të bëhet edhe më e vështirë, ata kanë të drejtë. Ekspertët pranë akademisë amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë thonë se ngrohja globale po i bën stinat e polenit, më të gjata e më problematike. Në një raport, këta shkencëtarë tregojnë në mënyra të ndryshme sesi temperaturat ndikojnë asthmën, alergjitë dhe çrregullime të tjera të frymëmarrjes. Sipas një studimi të shkencëtarëve britanikë, tek mbi 100 bimë e lule ata vunë re se ato çelin sot 5 ditë më herët sesa 10 vjet më parë dhe 10 përqind e luleve çelin 15 ditë më herët, duke bërë që të zgjatet edhe stina e alergjisë.

Ndërsa një tjetër studim thotë se shtimi i gazit të dioksidit të karbonit është i lidhur me shtimin deri në 90 përqind të polenit ose pluhurave të ngjashme.

Ngrohja globale gjithashtu pritet të krijojë më shumë zjarre pyjesh të cilat nxisin ndotjen e ajrit që keqësojnë asthmën.

Ekspertët rekomandojnë që ata që vuajnë nga alergjia t’i mbajnë dritaret të mbyllura gjatë stinë së polenit, të qëndrojnë brenda gjatë kohës së mesditës dhe t’i ndrojnë teshat pas çdo veprimtarie që kryejnë jashtë.

Udhëzime të reja mbi kancerin e prostatës

Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të kancerit përllogarit se më shumë se 186 mijë burra do të diagnostikohen këtë vit me kancer në prostat. Megjithëse analizat për zbulimin e parakohëshëm të këtij lloj kanceri duket si një veprim i arsyeshëm, disa rekomandime të reja tregojnë se nga këto analiza nuk mund të përfitojnë të gjithë.

Një në çdo 6 burra do të preket nga kanceri i prostatës gjatë jetës së tij, por vetëm një në 35 prej tyre do të vdesë prej kësaj sëmundjeje. Kohët e fundit, grupi i punës së shërbimit për parandalimin e sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara botoi disa udhëzime të reja mbi kancerin e prostatës ku thuhet se burrat 75 vjeç e sipër nuk duhet t’u nënshtrohen procedurave të ekzaminimit për të këtë sëmundje. Kjo për arsye se në qoftëse jetagjatësia e pritshme e një 75 vjeçari është edhe 10 vjet, një kancar i prostatës që zhvillohet ngadalë nuk ka të ngjarë ta prekë atë gjatë këtij 10 vjeçari.

Për burrat në moshë më të re, shërbimi për parandalimin e sëmundjeve këshillon që ata të diskutojnë me mjekun e tyre rreth analizës së antigjenit ose PSA para se t’u nënshtrohen analizave të tjera. Analiza PSA ndihmon në zbulimin e tumoreve në fazat më të herëshme por gjithashtu nxit kryerjen e shumë biopsive të panevojshme.
Ekspertët që janë dakord me këto udhëzime të reja thonë se ato do të pakësojnë një numër analizash të panevojshme për burrat. Por ka të tjerë që nuk janë dakord duke thënë se t’i këshillosh 75 vjeçarët që të mos kontrollohen për kancer të prostatës do të thotë se kanceri i padiognostikuar mund t’i parandalojë ata të bëjnë një jetë më të shëndetëshme e të rrojnë më gjatë.

Megjithatë shumë mjekë mendojnë se vendimi për kryerjen e analizave rreth kancerit të prostatës varet nga gjendja shëndetësore e çdo individi dhe nga historia familjare e sëmundjes.

Dy barna shpresëdhënëse kundër alcajmerit

Shkencëtarët mendojnë se dy barna; Dimenon dhe AL-108 mund të ndihmojnë për ngadalësimin sëmundjes së alcajmerit, por ata thonë se për të parë plotësisht dobinë e tyre nevojiten prova të tjera.

Rreth 18 milionë njerëz në botë vuajnë nga alcajmeri, sëmundje vdekjeprurëse që prek trurin, duke sulmuar kujtësën, gjykimin dhe aftësinë e të menduarit. Për alcajmerin nuk ekziston ndonjë mënyrë trajtimi për ndaljen e përparimit të saj. Por shkencëtarët janë plot shpresa rreth dy ilaçeve; Dimebon dhe AL-108. Dimebon, doli fillimimsht në Rusi disa vjet më parë dhe përdorej kundër alergjive. Më vonë pas disa studimeve u vu re se Dimebon ndihmonte pacientët me alcajmer duke penguar përparimin e sëmundjes për rreth 1 vit, ndryshe nga barnat e tjera efekti i të cilave zgjaste jo më shumë se disa muaj.


Ilaçi tjetër, që shkencëtarët shpresojnë se mund t’u vijë në ndihmë të prekurve nga alcajmeri quhet AL-108, që është përdorur për zhbllokimin e hundëve dhe lehtësimin e alergjive. Studimet dhe provat klinike kanë treguar se ku ilaç, ngadalëson përparimin e sëmundjes dhe madje mund të përmirësojë kujtesën e pacientëve. Megjithatë shkencëtarët ende nuk janë të sigurt dhe thonë se prova të tjera nevojiten me të dyja këto ilaçe; Dimenon dhe AL-108.

Gjithashtu studime të shumta rreth alcajmerit tregojnë se kjo sëmundje ndikohet shpesh edhe nga mënyra e jetesës dhe karakteri apo personaliteti. Njerëz në moshë mesatare që janë të pamartuar ose nuk kanë partner mund të jenë më në rrezik për t’u prekur prej alcajmerit. Gjithashtu të menduarit vazhdimisht rreth problemeve personale mund ta ulë rrezikun e prekjes prej alcajmerit, pasi të menduarit e vë trurin në punë. Gjithashtu, veprimtaritë fizike dhe mendore kanë treguar se ndihmojnë për pakësimin e gjasave të zhvillimit të kësaj sëmundjeje.



XS
SM
MD
LG