Lidhje

Kuvendi i Partisë Demokrate: Barak Obama portretizohet si njeri me vlera amerikane


Delegatët në kuvend shpërthyen në duartrokitje me mbërritjen e Mishell Obamës, bashkëshortja e kandidatit demokrat për president, Barak Obama.

“Unë vij këtu si një bashkëshorte, që e do burrin e saj dhe beson se ai do të jetë një president i mrekullueshëm”.

Demokratët shpresojnë se Barak Obama do të hyjë në histori si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.

Mishell Obama thotë se ajo dhe burri i saj vijnë nga familje të ngjashme punëtore amerikane dhe u rritën me vlera të ngjashme që të punojnë rëndë dhe të sillen me njerëzit me dinjitet dhe respekt.

“Unë dhe Baraku e kemi ndërtuar jetën tonë duke u bazuar në këto vlera dhe duke ia kaluar ato brezit të ardhshëm, sepse ne duam që fëmijët tanë dhe të gjithë fëmijët e këtij vendi ta dinë se kufiri juaj i vetëm në arritjet tuaja është realizimi i ëndrave tuaja dhe gadishmëria juaj për të punuar rëndë për t’i arritur ato”.

Senatori Obama nuk është në Denver, por ai përshëndeti mbrëmë delegatët me anë të një lidhjeje satelitore. Ai përshëndeti edhe dy vajzat e tij si dhe uroi gruan Mishell për fjalimin e saj.

“Tani ju e dini se pse unë i kërkova asaj shumë herë që të dilnim bashkë, megjithëse ajo nuk pranonte. Ju keni nevojë për një president këmbëngulës”.

Një pikë emocionale e natës së parë të kuvendit ishte nderimi që iu bë Senatorit Eduard Kenedi, një përkrahës i hershëm i Obamës, i cili para disa muajsh u diagnostikua me kancer në tru.

Senatori është vëllai i fundit gjallë i ish-Presidentit Xhon Kenedi dhe një ikonë e Partisë Demokrate, që ka shërbyer në kongresin amerikan për më shumë se 40 vjet.

Ai u tha delegatëve entuziastë se ka ardhur koha që pishtari udhëheqës t’i kalohet brezit të ri.

"Erdha sonte këtu që të jem me ju, për të ndryshuar Amerikën, për të kthyer të ardhmen tonë, për t’u ngritur në idealet tona më të mira dhe për të zgjedhur Barak Obamën presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara”.

Përveç prezantimit të kandidatit Obama, një objektiv i rëndësishëm për demokratët është bashkimi i partisë së tyre pas zgjedhjeve paraprake, që zgjatën më shumë se zakonisht, si rezultat i konkurencës së fortë midis zotit Obama dhe Senatores, Hillëri Klinton.

Anketat e opinionit tregojnë se një numër i madh i përkrahësve të senatores së Nju Jorkut, ende të pakënaqur që ajo nuk mori emërimin e partisë, madje nuk u emërua nga senatori Obama si kandidate për nën-presidente, mund të votojnë për kandidatin republikan, Xhon Mekein në zgjedhjet e nëntorit.

Senatorja Klinton u ka bërë thirrje përkrahësve të saj që të mbështesin kandidatin demokrat Obama. Ajo do të mbajë një fjalim në kuvend sonte. (ze)

XS
SM
MD
LG