Lidhje

Shqipëria dekoron USAID-in me medaljen e mirënjohjes


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vlerësoi sot punën e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke dekoruar drejtorin e kësaj agjensie për Shqipërinë Eduard Landau. Presidenti i dha zotit Landau “medaljen e mirënjohjes” për “kontribut të vyer në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane”.

Zoti Landau tha në ceremoni se suksesi i USAID-it mbështetet tek vlerat që populli amerikan dhe ai shqiptar kanë dhe besojnë si liria, drejtësia dhe institucionet demokratike, tregu i lirë. “Të dyja palët - tha ai - besojnë tek shpirti sipërmarrës i qytetarëve, tek qeverisja efektive dhe tek bashkëpunimi për të përmirësuar situatën ndërkombëtare. Në të gjitha këto përpjekje,Shqipëria është një aleate e vërtetë e SHBA".

Drejtori i USAID-it për Shqipërinë, Landau, tha se “një ndër arsyet e suksesit tonë në Shqipëri është edhe fakti se të gjithë shqiptarët kanë të njëjtin vizion dhe objektiv për të ardhmen afatgjatë të vendit. Ata beojnë tek ntegrimin në institucionet euro-atlantike, duke lujatur një rol konstruktiv në arenën ndërkombëtare. Kjo na ka ndihmuar mjaft në zbatimin e programeve tona dhe të arrijmë rezultate të mira”.

USAID është i njohur në Shqipëri për projektet në forcimin e institucioneve demokratike, ndihmën për të luftuar korrupsionin, për të fuqizuar sistemin e drejtësisë, dhe pushtetin vendor.

Në mars USAID dhuroi për 50 mijë dollarë në ushqime dhe materiale për 700 familje të prekura nga shpërthimi aksidental i municioneve në një godinë ushtarake në fshatin Gërdec, pranë kryeqytetit .

Në janar, USAID nisi në 10 bashki të Shqipërisë një projekt 7,3 milionë dollarë për forcimin e pushtetit vendor dhe rritjen e shërbimeve për komunitetin. Po në janar, në 10 gjykata shqiptare nisi një tjetër projekt i USAID-it 3,9 milionë dollarë për të rritur transparencën dhe antikorrupsionin në drejtësi. Projektet e reja nisën sapo u mbyllën me sukses projekti për Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve dhe e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, një tjetër përpjekje për të rritur transparencën e administratës, shërbimet ndaj publikut dhe luftën kundër korrupsionit. //rd//

XS
SM
MD
LG