Lidhje

Senatorja Hillari Klinton mbështeti kandidatin për president, Barak Obama, dhe bëri thirrje për unitet në parti


Senatorja Hillari Klinton u kërkoi miliona votesve, të cilët e mbështetën atë në zgjedhjet paraprake, që të mbështesin tani kandidatin demokrat për president, Barak Obama. Në një fjalim që mbajti mbrëmë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate, senatorja Klinton bëri thirrje për unitet në parti dhe tha se rivali i tij në zgjedhjet paraprake duhet të zgjidhet president.

Senatorja Klinton u prit me duartrokitje të shumta në kuvend, ku jo shumë kohë më parë parashikohej se ajo do të merrte emërimin e partisë për presidente.

Por gjatë fushatës maratonë të zgjedhjeve paraprake, herë herë me kritika të ashpra, ajo humbi ndaj rivalit të saj, Barak Obama.

Senatorja Klinton u tha mbrëmë përkrahësve të saj se tani ata duhet të mbështesin senatorin Obama, sepse Partia Demokrate nuk mund të humbasë asnjë moment dhe asnjë votë të vetme.

“Nëse ju votuat për mua apo për Barakun, tani është koha që të bashkohemi si një parti e vetme e me një qëllim të vetëm. Ne jemi anëtarë të një ekipi dhe asnjëri prej nesh nuk mund të qëndrojë i mënjanuar”.

Aftësia e zonjës Klinton për të entuziazmuar një grup të rëndësishëm të përkrahësve të saj, të cilët janë ende të zemëruar që ajo nuk mori emërimin e partisë, mund të jetë faktori përcaktues për fitoren ose humbjen e senatorit Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Anketimet tregojnë se një përqindje e rëndësishme e përkrahësve të senatores së Nju Jorkut thonë se do të votojnë në ato zgjedhje për kandidatin republikan, Xhon Mekein.

Një mbështetje e sinqertë e zotit Obama nga ana e senatores Klinton konsiderohej vendimtare për fushatën e tij.

“Barak Obama është kandidati im dhe ai duhet të jetë presidenti jonë."

Zonja Klinton kritikoi senatorin Mekein, duke thënë se zgjedhja e tij do të çonte drejt vazhdimit të luftës dhe në më pak diplomaci.

“Ne e dimë se Presidenti Obama do t’i japë fund luftës në Irak me përgjegjësi, do të sjellë trupat tona në atdhe dhe do të fillojë të riparojë aleancat tona nëpër botë”.

Ish-guvernorori i Virxhinias, Mark Uorner, mbajti po mbrëmë fjalimin kryesor të ditës. Ai tha se zoti Mekein do të ndjekë të njëjtën politikë të jashtme dhe ekonomike, që ka ndjekur administrata e presidentit Bush.

“Kjo garë ka të bëjë me të ardhmen tonë. Dhe për këtë arsye ne duhet të zgjedhim Barak Obamën presidentin tonë të ardhshëm. Sepse gara për të ardhmen do të fitohet kur qëndrimet e vjetra partiake zëvëndësohen nga ide të reja, kur ne vëmë zgjidhjet mbi ngecjen dhe kur shpresa zëvëndëson frikën”.

Fjalimet e sotme në kuvendin e Partisë Demokrate do të përqëndrohen në politikën e jashtme dhe në sigurimin kombëtar.

Mes folësve do të jetë edhe kandidati për nën-president, senatori i shtetit Delawuer, Xho Bajdën.

Senatori Obama do të mbajë fjalimin e tij nesër, kur ai pritet të pranojë emërimin e Partisë Demokrate. (ze)

XS
SM
MD
LG