Lidhje

Rama: Politika shqiptare ka nevojë për ndryshime rrënjësore


Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama që po merr pjesë në Kuvendin e Partisë Demokrate në Denver theksoi dje se një aktivitet i tillë politik konkretizon premtimin demokratik ndaj zgjedhësve dhe se ngjarje të tilla u kujtojnë të gjithëve se politika është një forum i gjerë për gjithë popullatën dhe jo privilegj i pakicës. Zoti Rama u ndal edhe tek politika shqiptare për të cilën ai tha se ka nevojë për ndryshime rrënjësore që të mos jetë pronë e një grushti njerëzish.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ky është kuvendi i parë i një partie që ju ndiqni këtu në Shtetet e Bashkuara. Si po e përjetoni zhvillimin e kuvendit demokrat, që është një kuvend historik në të gjithë Amerikën?

Edi Rama: Është një shfaqje e jashtzakonshme e pasionit politik dhe një shprehje e cilësisë më të lartë e faktit që politika është një pasion për të ndryshuar, vullnet për të bashkëpunuar me të gjithë ata me të cilët ndan së bashku vlerat dhe ambiciet për veten, komunitetin, vendin dhe për kombin tënd. Ajo është arti i vetëqeverisjes dhe i qeverisjes të një komuniteti dhe një populli. Kjo shfaqje e këtij pasioni është vërtet një shfaqje e jashtzakonshme dhe një dritë në horizontin e çdokujt që dëshiron t'i japë vetes një hapësirë si politika në demokraci që nuk është një monopol i politikanëve të zanatit por një hapësirë për çdo qytetar e qytetare, për të reja, të moshuar, gra, burra, të bardhë, të zinj, pa dallim të cilët kanë pasionin për të mos e pranuar status quonë, por të vënë në jetë gjërat për të shkuar përpara. Kjo është historia e Amerikës, është historia e një politike, e cila është politika e njerëzve dhe për njerëzit, e cila arrin të çojë njerëzit nga hiçi siç janë kandidati për president dhe zëvëndëspresident sot në Shtetet e Bashkuara për Shtëpinë e Bardhë dhe siç kanë qenë plot të tjerë, një vend ku asgjë nuk është e pamundur për askënd, mjafton pasioni dhe vullneti për të bashkuar zemra, bashkuar mendje në favor të komunitetit tënd.


Zëri i Amerikës: Megjithatë ju i shihni këto si kaq të natyrshme, në këtë vend me një demokraci me rrënjë të thella e të stabilizuara. Por një vend si Shqipëria që hedh akoma hapa të paqëndrueshme, çfarë mund të sillet nga kjo përvojë që ju mendoni se ka ardhur koha tani të vendoset atje dhe të zbatohet?

Edi Rama: Politika e mirë, politika e njerëzve, politika me njerëzit dhe për njerëzit, nuk është një çështje e traditës, por është një çështje e pasionit politik, e traditës pozitive. Këtë pasion, vullnet, energji ne duhet t'i zbulojmë tek njëri-tjetri dhe duhet t'i bashkojmë për t'i dhënë jetë në Shqipëri një ndryshim të ri e të madh, i cili nuk është ndryshimi mes një qeverie e një tjetre, një ngjyre politike e një tjetre, por është ndryshimi themelor, rrënjësor i pakthyeshëm i proçesit politik, që është proçesi i grave dhe burrave pavarësisht moshës, pavarësisht prejardhjes, pavarësisht diferencave dhe kategorive në një përpjekje të përbashkët për t'i dhënë Shqipërisë atë që Shqipëria kërkon prej shumë e shumë kohe, që shqiptarët e shqiptaret kërkojnë prej shumë kohe e që për fat të keq u është privuar nga një politikë e keqe, nga një politikë e vjetër, nga një politik zanatçinjsh që e kanë kapur peng proçesin politik e që duke e kapur peng proçesin politik i kanë privuar të gjithë të tjerët nga pjesëmarrja. Kjo që shikojmë ne këtu sot është shfaqja e pjesëmarrjes së madhe qytetare, e pjesëmarrjes së madhe të gjithë atyre njerëve që duan të japin një kontribut për vendin e tyre, që nga qytetarët më të thjeshtë e deri tek kandidati për president i SHBA-ve. Kjo shfaqje duhet t'u tregojë të gjithëve se politika nuk duhet të jetë pronë e një grushti njerëzish, se kur ajo është pronë e një grushti njerëzish siç është në Shqipëri atëhere edhe vendi mbetet peng, edhe ëndrrat vriten dhe rivriten edhe shpresat varrosen dhe rivarrosen dhe për këtë arsye edhe mesazhi i politikës së re. Një mesazh i tillë vjen edhe nga kandidati demokrat për president është një mesazh dhe ka ardhur në vijëmësi pavarësisht nga kampet ku ka qënë gjithmonë krahu në opozitë që i ka dhënë një shtysë të re ndryshimit është mesazhi kuptimplotë për arsye se një popull që do të shkojë përpara ka nevojë për një politikë të re. Në Shqipëri ka nevojë për një politikë të re, një politikë me njerëzit dhe për njerëzit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë pjekuria politike është ajo që kërkohet dhe duhet respektuar siç thatë ju që politika nuk duhet të jetë monopol...

Edi Rama: Nuk duhet respektuar, duhet ndryshuar, transformuar rrënjësisht në Shqipëri sepse të respektosh këtë proçes në Shqipëri do të thotë të respektosh abuzimin me të vërtetën, akuzën e pabazë, mungesën e etikës, të respektosh një status quo të tmerrshme që ka bërë që të gjithë njerëzit normalë ku mund t'i përmbledhin të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të dëgjohen janë dashur t'i qëndrojnë politikës larg dhe ta shohin politikën si një shfaqje të neveritshme, ndërkohë që politika është shfaqja më e bukur e pasionit njerëzor për të ndryshuar jetën e përbashkët dhe në këtë sens këto konventa janë për të konfirmar një kuptim të përbashkët. Është domosdoshmëri që t'i kapërcejmë kufijtë, edhe këtu flitet për t'i kapërcyer kufijtë përtej atyre që janë vendosur, përtej atyre barrakidave që janë ngritur mes të kuqëve dhe bluve, përtej tifozllëkut politik dhe duke marrë një shprehje të bukur nga një fjalim i konventës nuk është fjala për të zgjedhur nëse do të shkojmë majtas apo djathtas, por është fjala nëse do të shkojmë lart apo poshtë.

Zëri i Amerikës: Unë në fakt po flisja për përvojën e këtushme lidhur me proçesin politik, një proçes i paanshëm që kur përfundon pranohet nga ai që mund të jetë në anën e humbësit, pranon votën e përgjithshme dhe proçesin e mirëfilltë, siç ndodh tani me senatoren Klinton e cila do të vijë në këtë sallë për t'u bërë thirrje delegatëve të mbështesin senatorin Obama. Ju keni pasur përçarje në të majtën dhe probleme të tilla, çfarë mësoni ju nga kjo përvojë?

Edi Rama: Së pari, më lejoni t'ju them që unë kampin politik e shoh shumë më gjerë sesa kufijtë e vjetër mes partive, e bëj këtë sepse është koha t'i japim një horizont të ri të gjithë atyre që duan një ndryshim të vërtetë në Shqipëri, të gjithë atyre që duan ta lëmë pas këtë proçes politik i cili fut në shtëpitë e tyre stres, neveri, baltë, dëshpërim nëpërmes akuzash, shpifjesh, gënjeshtrash, mllefit, e mbi të gjitha mungesës më elementare të etikës së komunikimit qoftë mes njerëzve të të njëjtit kamp apo mes njerëzish të kampeve të kundërta. Duke parë natën e sotme ku do të ndrrisë ylli i Hillari Klinton nën qiellin e konventës, ky është përsëri një mësim i madh, një shembull i shkëlqyer i asaj çka është politika, ajo nuk është një hapësirë ku ai që fiton zhbën të tjerët ashtu sikurse nuk është një hapësirë ku ai që humbet humbet përgjithmonë, por është një hapësirë ku afirmohen vlera, ku së bashku punohet për një program, luftohet për disa objektiva, ku krijohet ajo energji e madhe pozitive, që pro krijon kjo konventë me këtë solidaritet të jashtzakonshëm mes dy rivalëeve të mëdhenj të gjithë këtij viti paraelektoral në Amerikë Barak Obamës dhe Hilari Klintonit e cila sot është këtu për të ftuar të gjithë që me të në krye të mbështesin Barak Obamën. Ja kjo është politika si pasion për të ndryshuar jetën jo si zell për të shkatërruar tjetrin, kjo është politikë e alternativave që së bashku brenda një vizioni krijoi një sinergji, në program vlerash, një bashkësi idesh dhe objektivash dhe jo një rezultat mizerabël të një lufte shkatërrimtare mes personash apo të një hakmarrjeje dhe mllefi personal që degradon deri në mohimin e së drejtës të qindra mijëra veteve mbrapa për ta parë veten në pushtet.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, përveç pasionit si forcë aktive në opozitë ju tani përgatiteni për zgjedhjet dhe pa dyshim keni ambicie për të ardhur në pushtet, sa e bashkuar është e majta dhe sa po përgatiteni për këto zgjedhje, si i shihni mundësitë që të dilni si një e majtë e bashkuar, si i keni konkretisht marëdhëniet me LSI-në?

Edi Rama: Edhe një herë tjetër, ne socialistët kërkojmë një politikë të re, të një dite të re kundër kësaj force të zakonit...

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ju duhet të fitoni zgjedhjet...

Edi Rama: Do të fitojmë zgjedhjet përmes një bashkimi të ri i cili do të shkojë përtej kufijve. Ky do të jetë një bashkim i shqiptarëve që duhet dhe do të marrin prej nesh mesazhin se janë ata arsyeja përse ne po bëjmë politikë?

Zëri i Amerikës: Sa pranë jeni pranë këtij bashkimi?

Edi Rama: Ky bashim po ndërtohet dhe këtu nuk ka rëndësi nëse një parti politike sillet në mënyrë të vjetër dhe do të vazhdojë në mënyrë të vjetër, rruga jonë e re është rruga e bashkimit të ri, këtë bashkim të ri ne po e bëjmë të mundur dhe përmes këtij bashkim të ri ne duhet të fitojmë pa marrë parasysh një apo tjetër parti që vazhdon me mendësinë e vjetër me punën e politikës së vjetër, me akuzat dhe mllefin e vjetër, mllefi nuk është program, me të nuk ndërtohet e ardhmja, ne duam të ndërtojmë të ardhmen me një program të ri përmes një politike të re e cila do të jetë politika e të gjithë atyre që duan të ndahen nga politika e vjetër me një shfaqje banale luftrash personale e një monopoli zanatçinjsh politikësh e një grushti njerëzish të cilët duhet t'i hapin rrugë një politike qytetarësh, me qytetarët dhe për qytetarët. //kk//



XS
SM
MD
LG