Lidhje

Demokratët emërojnë zyrtarisht Obamën si kandidatin e tyre për president


Demokratët emëruan zyrtarisht Senatorin Barak Obama si kandidatin e tyre për president, afrikano-amerikani i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që zgjidhet kandiat i një partie të madhe për zgjedhjet presidenciale.

Në një shprehje të shkëlqyer të unitetit të partisë, ish rivalja e Senatorit Obama, Senatorja Hillari Klinton, u kërkoi delegatëve të kuvendit të pezullonin votimin shtet pas shteti.

"Me sytë e ngulur drejt të ardhmes, me frymën e unitetit, me synimin për fitore, me besimin tek partia dhe vendi ynë, le të deklarojë këtu dhe menjëherë, se Barak Obama është kandidati ynë për president dhe ai do të bëhet presidenti ynë".

Thirrja e Senatores Klinton u prit me ovacione të stuhishme në sallën e mbushur plot e për plot të Kuvendit të Partisë Demokrate në Denver të Kolorados, që u pasuan nga mocioni e paraqitur nga zonja Klinton:

"Propozoj që Senatori Barak Obama nga Ilinoi të zgjidhet në këtë kuvend me thirrje si kandidat i Partisë Demokrate për President të Shteteve të Bashkuara".

Më tej, Kryetarja e Kuvendit të Partisë Demokrate dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nensi Pelosi, thirri delegatët për votim:

PELOSI: "Të gjithë delegatët në favor të pezullimit të rregullave dhe emërimit të Barak Obamës si kandidat për president me thirrje të thonë po".

DELEGATET: Po

PELOSI: Të gjithë ata që janë kundër të thonë jo. Meqë dy të tretat e delegatëve kanë votuar në favor, mocioni miratohet".

Delegatët filluan të festonin dhe të kërcenin në sallën e kuvendit nën tingujt e këngës "Love Train".

Emërimi i Senatorit 47 vjeçar, Barak Obama, si kanditat i Partisë Demokrate për president, i hap rrugën atij për të konkuruar me Senatorin republikan, Xhon Mekein, në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në muajin nëntor.

Më pas, ish presidenti Bill Klinton, i cili për muaj të tërë gjatë fushatës vuri në dyshim aftësitë e Senatorit Obama për të qënë president, u zotua ta mbështesë fuqimisht kandidatin.

"Barak Obama është gati të respektojë betimin për të respektuar, ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Barak Obama është i përgatitur të jetë President i Shteteve të Bashkuara".

Delegatët e Kuvendit emëruan gjithashtu zyrtarisht, të zgjedhurin e Obamës për nënpresident, Senatorin nga Dellover, Xho Bajdën.

Zoti Bajden, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, e kritikoi ashpër politikën e jashtme të republikanëve duke e cilësuar atë katastrofike.

"Unë kam qënë në Gjeorgji, në Irak, Pakistan dhe Afganistan, dhe mund t'ju them pa u lëkundur se politika e jashtme e kësaj administrate ka qënë mëse e dështuar. Amerikanët nuk mund ta durojnë edhe katër vjet të tjerë këtë dështim".

Më pas Senatori Obama u shfaq pa pritur në këtë natë historike, duke shkaktuar ovacione në Kuvend.

Sonte, kandidati demokrat për president do të mbajë fjalimin për pranimin e kandidaturës në një stadium aty pranë, në praninë e të paktën 75 mijë vetëve.

"Ne duam ta hapim këtë Kuvend për të gjithë ata që duan të hynë në Partinë Demokratike dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve për ta marrë përsëri në dorë Amerikën".

Emërimi i Senatorit Obama si kandidat i Partisë Demokrate për president, shënon një ngjarje të jashtëzakonëshme në politikën amerikane, si dhe kulmin e asaj që analistët e përshkruajnë si një fushatë të disiplinuar dhe të shkëlqyer.

XS
SM
MD
LG