Lidhje

Radovan Karaxhiç del  përsëri  para Gjykatës  në Hagë


Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç doli para gjykatës së Hagës dhe përsëri kundërshtoi që të shprehej në se i pranonte akuzat për gjenocid dhe krime lufte.

Karaxhiçi përballet me 11 akuza që lidhen me rolin e tij në sulmet kundër civilëve gjatë konfliktit boshnjak. Aty përfshihet masakra e tetë mijë burrave dhe djemëve myslimanë në Srebrenicë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes kundërshtoi të shprehej për akuzat edhe gjatë daljes para gjykatës në korrik, kur hoqi dorë nga e drejta për një avokat dhe vendosi të mbrohet vetë.

Policia serbe e arrestoi Karaxhiçin në Beograd në korrik pas 12 vjetë kërkimesh.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë u krijua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 për të sjellë para drejtësisë personat e akuzuar për krimet e kryera gjatë konfliktit në Bosnjë gjatë fillimit të viteve '90. Kjo ishte gjykata e parë për krime lufte që kur udhëheqësit nazistë u ndoqën penalisht në gjykimet e Nyrembergut.

Profesori i së drejtës në Universitetin e Harvardit Aleks Uaiting, ish prokuror në Gjykatën e Hagës, thotë se gjatë mesit të viteve '90 u krijuan disa kushte të cilat e bënë të mundur themelimin e gjykatës.

"Së pari, krimet e luftës në ish-Jugosllavi u zhvilluan në oborrin e Evropës dhe kjo pati ndikim si tek vendet evropiane ashtu edhe tek Shtetet e Bashkuara. E dyta ishte se fotografitë nga lufta të kujtonin fotografitë e kampeve të internimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, gjatë verës së vitit 1992 dolën shumë fotografi të tilla që u kujtuan njerëzve krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe gjyqet e Nyrembergut".

Pol Uilliams, ish këshilltar ligjor i qeverisë boshnjake, thotë se gjykata është krijuar në mënyrë të atillë që të përfaqësojë me besnikëri komunitetin ndërkombëtar.

"Aty ka pasur gjykatës nga Uganda, Kenia, Britania, Hollanda dhe shumë vende të tjera. Prokurorët janë nga e gjithë bota. Ka pasur nga Afrika e Jugut, Kanadaja, Zvicra etj. Pra gjykata ka përfaqësuar me të vërtetë thuajse të gjithë vendet anëtare të OKB-së".

Një komision prej tre gjykatësish shqyrton secilin rast dhe vendimi arrihet me shumicë votash. Nëse vendimi apelohet, çështja shqyrtohet nga një komision tjetër prej tre gjykatësish. Dhe meqenëse kjo është gjykatë e OKB-së, aty nuk ekziston dënimi me vdekje. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Që nga krijimi, gjykata ka ngritur akuza kundër 160 personave. Ka dënuar më shumë se 50 veta dhe ka liruar nga akuzat 10 të tjerë. Më shumë se 30 vetë vazhdojnë të mbahen në burgun e Hagës.

Çështja më e rëndësishme deri tani ishte ajo e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili akuzohej për gjenocid. Millosheviçi vdiq në burg në vitin 2006, vetëm pak muaj para se të jepej vendimi.

Ekspertët si Aleks Uaiting thonë se vdekja e Millosheviçit ishte shumë e papritur për gjykatën.

"Nuk ka dyshim se vdekja e Millosheviçit para se të jepej vendimi ishte goditje e rëndë meqenëse ky ishte rasti më i rëndësishëm i gjykatës. Ai ishte personi më i rëndësishëm kundër të cilit ishin ngritur akuzat dhe ishte fytyra e luftës. Për gjykatën, do të kishte qenë arritje e madhe nëse do ta kishte përfunduar çështjen".

Tani gjykata po përgatitet të gjykojë Radovan Karaxhiçin, ish udhëheqësin politik serb të Bosnjës.

Pas arrestimit të tij muajin e kaluar në Beograd dhe ekstradimin e tij në Hagë, kryeprokurori i gjykatës Serzh Bramerc u tha gazetarëve se Karaxhiçi akuzohet për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

"Ai akuzohet për spastrim etnik të popullatës jo-serbe në Bosnjë Hercegovinë. Akuzohet për fushata bombardimesh dhe me snaiperë për të terrorizuar popullsinë civile në Sarajevë. Akuzohet për gjenocid në Srebrenicë ku u vranë rreth 8000 burra dhe djem".

Pol Uilliams i Universitetit Amerikan thotë se të provosh kryerjen e krimeve kundër njerëzimit nuk është e vështirë.

"Ka një numër krimesh si tortura, vrasje, përdhunime, shkatërrim pronash, të cilat nëse janë të përhapura, kryhen në mënyrë sistematike përbëjnë krime kundër njerëzimit. Aty nuk ka nevojë të provosh se janë bërë me dashje. Thjesht duhet të provosh që aktet kanë ndodhur, kanë qenë sistematike dhe të përhapura dhe se këta individë janë përgjegjës për to".

Radovan Karaxhiçi ka vendosur të mos marrë avokat dhe të përfaqësojë veten. Ekspertët si Marko Hoare nga Instituti i Bosnjës në Londër thotë se kjo ishte taktikë e përdorur nga Millosheviçi.

"Strategjia që kanë përdorur disa nga serbët e akuzuar për krime lufte ka qenë të mos e marrin seriozisht gjyqin në sensin ligjor, por ta kthejnë atë në një lloj cirku propagandistik, ta përdorin sallën e gjyqit për të bërë propagandë".

Shumë ekspertë thonë se gjykimi i Radovan Karaxhiçit do të jetë shumë i rëndësishëm për kredibilitetin e gjykatës. Ata thonë se procedurat duhet të jenë të drejta dhe objektive dhe gjykata nuk duhet ta lejojë Karaxhiçin të tallet me gjyqin, gjë që Millosheviçi arriti ta bënte me shumë efikasitet. //iç//

XS
SM
MD
LG