Lidhje

Si do të jenë marrëdhëniet SHBA-Rusi në të ardhmen


Nën presidenti amerikan Dick Cheney shkon javën tjetër në Gjeorgji dhe në dy ish republika të tjera sovjetike. Shtëpia e Bardhë e quan këtë vizitë si një gjest të vendosmërisë së Washingtonit për të mbështetur aleatët e tij. Vizita e nënpresidentit bëhet pas sulmit ushtarak rus ndaj Gjeorgjisë dhe problemeve të reja që kanë dalë pas tij në maredhëniet me Moskën.

Pushtimi ushtarak rus i rajoneve separatiste të Gjeorgjisë vazhdon të ketë pasoja gjeopolitike. Edhe pse Rusia ka tërhequr shumicën e trupave, sulmi ushtarak ka ngritur shqetësime në shumë qarqe botërore. Në një forum të organizuar para pak ditësh nga fondacioni Heritage, eksperti për Rusinë Ariel Cohen, i përshkroi kështu pasojat e këtij sulmi.

" Jemi në fazat e para të një rikonfigurimi të madh në mardhëniet ndërkombëtare ku lufta në Kaukaz është vetëm tërmeti i parë në lëvizjet e mëdha tektonike në Euroazinë perëndimore."

Sulmi i Rusisë duket se nuk kishte objektiv vetëm marrjen e rajoneve separatiste por edhe destabilizimin e presidentit gjeorgjian Mikail Sakashvili dhe qeverisë së tij properëndimore. Kjo ka ngritur shumë shqetësime në vende të tjera të Evropës Lindore sidomos në Ukrainë. Në një artikull të botuar në gazetën Washington Post, Presidenti properëndimor i këtij vendi, Viktor Jushçenko e quajti Ukrainën, peng të luftës së udhëhequr nga Rusia. Analistë si Stephen Blank i Kolegjit amerikan ushtarak të luftës i japin një pamje edhe më të errët të këtij konflikti.

"Objektivi i dytë do të jetë Ukraina dhe pastaj Azerbajxhani. Azerbajxhani do të vihet nën presion të madh për të shkëputur lidhjet me perëndimin dhe të vendosë lidhje më të forta për burime të energjisë me Rusinë. Por Ukraina është më e rrezikuar në disa aspekte."

Ukraina e cila para disa ditësh festoi ditën e pavarësisë, ka një pakicë të madhe rusfolëse. Shumë rusë jetojnë në gadishullin strategjik të Krimesë gjë që ka ngritur shqetësime tek ukrainasit se Rusia do të mundohet të gjejë një mënyrë për ta marrë atë në mënyrë që të sigurojë dalje në Detin e Zi për flotën e vet detare.

Anxhela Stent drejton qendrën për studime Euroaziatike, Ruse dhe Evropiane në universitetin Georgetown.

"A do ta injorojnë rusët tani marrëveshjen e vitit 1997 me Ukrainën e cila respektonte kuftijt e njëri tjetrit dhe rregullonte flotën detare në Detin e Zi, dhe të thonë se kjo marrëveshje duhet të rishikohet. Kjo sipas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Perendimore është shumë shqetësuese."

Vendimi i Rusisë për të njohur rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë acaroi edhe më tej marëdhëniet me perëndimin. Presidenti Bush, i cili dikur thoshte se ka marëdhënie shoqërore me Vladimir Putinin ka deklaruar se Osetia Jugore dhe Abkazia janë pjesë e Gjeorgjisë. Disa ekspertët janë të shqetësuar se sulmi rus ndaj Gjeorgjisë do të çojë drejt një periudhe konflikti ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo sipas profesores Stent nuk e shqetëson shumë Rusinë sepse ajo ka objektiva tjera.

" Mendoj se strategjia ruse tani është që të paraqesë Rusinë si një superfuqi alternative ndaj Shteteve të Bashkuara. Dhe t'u thonë vendeve të botës se " ne besojmë në demokraci sovrane, dhe nuk do t'ju tregojmë ju se çfarë qeverisjeje duhet të keni në vendet tuaja." Një gjë të tillë po e shohim të ndodhë tani."

Një Rusi e ringjallur e cila kundërshton hapur Shtetet e Bashkuara. Ky është një skenar me të cilin do të ketë të bëjë cilido që do zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG