Lidhje

Vota e të rinjve në zgjedhjet presidenciale


Të dyja partitë politike më të mëdha në Shtetet e Bashkuara po bëjnë ç’të munden për të bërë për vete votuesit në moshë të re në fushatën presidenciale të këtij viti. Me zhvillimin e kuvendit të partisë demokrate këtë javë dhe atij republikan javën e ardhshme, janë shtuar përpjekjet për të afruar të rinjtë në kampet partiake. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhef Suajkord ndoqi kuvendin e demokratëve të Denverit dhe njofton për rëndësinë e votës së të rinjve në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

21 vjeçarja Loren Kim do të votojë për herë të parë zgjedhjet e para presidenciale."Jam shumë e gëzuar, këto janë zgjedhjet e mia të para të cilat janë sa interesante aq edhe të forta."

Loren mbërriti në Denver bashkë me mijëra votues të rinj të tjerë të cilët janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në fushatën presidenciale të këtij viti. Anketimet e fundit tregojnë se votat e të rinjve nga mosha 18 deri në 30 vjeç mund të përbëjnë deri në 25 përqind të zgjedhësve të cilët do të mund të ishin vendimtare në disa shtete.

Si fushatat e zotit Barak Obama dhe ajo e zotit Xhon Mekejn po përqendrohen shumë tek votuesit e rinj. Por politologu dhe eksperti i njohur në Institutin Brookings, Uilliam Galston thotë që zoti Obama është lidhur më shumë me votuesit e rinj dhe mund të fitojë deri në 60 përqind të votave të tyre. "Të rinjtë kanë filluar të shqetësohen shumë kohët e fundit për drejtimin që ka marrë vendi. Dhe faktet tregojnë se të rinjtë i janë afruar më shumë kampit demokrat dhe drejtimit politik liberal që prej vitit 2000."


Partia Demokrate e di mirë se për çfarë bëhet fjalë dhe po bën të pamundurën për të afruar pjesëmarrësit e rinj të kuvendit. Gjatë gjithë ditës në Denver zhvillohen fushata orientimi për moshat e reja, përfshirë këtu edhe seminare në lidhje me tema si feja, politika apo edhe ndryshimet klimatike. Përqindja e delegatëve më të rinj se 36 vjeç gati është dyfishuar që prej vitit 2000 nga 9 deri në 16 përqind.

Zoti Li Drejk, një student në universitetin e Arizonës nga Uajoming thotë që po i pëlqen kuvendi i tij i parë. "Unë jam vetëm 25 vjeç dhe është shumë interesante të jesh delegat këtu. Kam punuar prej shumë vitesh me demokratët në kolegj. Dhe është vërtet e jashtzakonshme kur sheh që ambjenti politik është bërë aq interesant sa studentët marrin pjesë kaq aktivisht në të."

Bashkëdrejtuesi i Komitetit Kombëtar Demokrat Rinor Xhejn thotë se zoti Barak Obama ka meritën e tij për një pjesë të suksesit me të rinjtë. "Në të kaluarën ne jemi marrë vetëm me programet e regjistrimit në kolegje. Sivjet zoti Obama ka ndërmarrë programe të reja ku të rinjtë flasin me vetë të rinjtë kudo që ata janë në mënyrë që ata të marrin pjesë në votime."

William Galston thotë që fushata e zotit Obama po përdor shumë edhe ndikimin e internetit dhe telefonit celular duke përdorur gjithçka që nga komentet në internet e deri tek përdorimi i faqeve si Facebook, MySpace apo mesazhet me telefona celulare.//IB

UILLIAM GALSTON, INSTITUTI BROOKINGS

Nëse nuk përdor teknologjinë moderne të komunikimit për të folur me ta, kjo do të thotë që në njëfarë mënyre nuk e flet gjuhën e tyre. Kështu bëhet e vështirë t’i bindësh njerëzit.

Fushata e zotit Mekejn gjithashtu po përdor fuqishëm format e reja të medias.

Siç thotë zoti Galston fushata e tij filloi t’i përdorë këto forma me vonesë, por po përpiqet shumë që të bëjë për vete votuesit e rinj. Ai thotë se nuk beson se fushata e zotit Mekejn i ka fshirë të rinjtë nga lista, por është e qartë fushata nisi vonë. Zoti Galston thotë se do të jetë e vështirë që zoti Mekejn të ndryshojë shumë tek ky grup demografik në 70 ditët që kanë mbetur deri tek zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG