Lidhje

HRW: Rusia ka përdorur municione thërrmuese në Gjeorgji


Organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch akuzoi Rusinë për përdorimin e municioneve thërrmuese në Gjeorgji gjatë luftimeve mes dy vendeve mbi provincën separatiste të Osetisë së jugut në fillim të muajit. Rusia i kundërshton akuzat. Human Rights Watch po kështu tha se Gjeorgjia ka pranuar të ketë përdorur këto municione kundër Osetisë së jugut. Grupi humanitar thotë se një numër civilësh humbi jetën dhe u plagos nga këto lloj municionesh.

Rusia mohon të ketë përdorur municione thërrmuese në Gjeorgji. Por punonjësja e organizatës Boni Dorti thotë se organizata e saj disponon fakte të forta dhe të mirdokumentuara se Rusia i ka përdorur këto lloj armësh në disa zona.

Ajo thotë se sulmet kanë ndodhur pranë zonave të populluara dhe brenda tyre duke kërcënuar kështu jetën e civilëve.

"Municionet thërrmuese shkaktojnë vdekjen e civilëve gjatë sulmit për arsye të shpërhapjes në masë të municioneve. Ato po kështu shkaktojnë viktima pas sulmit për arsye të predhave të pashpërthyera të lëna pas. Në këtë rast, Human Rights Watch ka dokumentuar të paktën 14 civilë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur vetëm në 4 fshatra. Këto sulme shkelin pa dallim ligjin humanitar ndërkombëtar dhe tregojnë se përdorimi i tyre i papërgjegjshëm po bëhet normë dhe jo përjashtim."

Ndërsa Human Rights Watch ka dokumentuar situatën në katër fshatra të prekur Doherty thotë se hetuesit e organizatës kanë dëgjuar edhe për të paktën nëntë fshatra të tjera të vëna në shënjestrën e municioneve thërmuese.

Ajo thotë se Gjeorgjia fillimisht e kishte mohuar përdorimin e municioneve thërmuese. Por, siç thotë ajo, fundjavën e kaluar qeveria gjeorgjiane pranoi zyrtarisht se i kishte përdorur këto armë në disa vende mes tunelit Roki dhe rrugës Dzara.

Kjo zonë lidh Osetinë e jugut në Gjeorgji me Osetinë e veriut e cila është pjesë e territorit rus.

Zonja Doherty thotë se municionet thërmuese vazhdojnë të vrasin dhe plagosin civilë edhe për një kohë të gjatë pas përfundimit të një konflikti. Ajo thotë se municionet kanë prekur ndjeshëm jetën e civilëve gjerogjianë.

"Këto lloj municionesh mbulojnë fushat që janë gati për t’u korrur dhe vendasit duhet të zgjedhin mes rrezikut për jetën duke korrur këto fusha apo të rrezikojnë jetën nga varfëria dhe uria. Ne i bëjmë thirrje Gjeorgjisë dhe Rusisë të lehtësojnë punën e grupeve çminuese.”

Doherty thotë se deri më tani grupet humanitare të çminimit nuk kanë mundur të futen në zonat e prekura.

Organizata Human Right Watch i bën thirrje Rusisë dhe Gjeorgjisë t’i lejojnë hyjren në vendngjarje grupeve të çminimit dhe t’i lehtësojnë atyre punën duke i dhënë informacione dhe ndihmë materiale dhe financiare.

XS
SM
MD
LG