Lidhje

SHBA: Politika e jashtme e kandidatit demokrat për president


Kandidati demokrat për president Barak Obama ka premtuar se në se zgjidhet, do të perqendrohet të riparojë marrëdhëniet me vendet e tjera të dëmtuara nga lufta në Irak dhe nga politika të tjera jopopullore të administratës Bush. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Tate, analizon sesi mund të ndryshojë politika e jashtme amerikane nën një administratë të mundshme të zotit Obama.

Kritikët e administratës Bush thonë se vendimi për të ndërhyrë në Irak, trajtimi i personave të ndaluar dhe abuzimet skandaloze me të burgosurit në Abu Ghraib të Irakut i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më të izoluara se kurrë.

P.J. Crowley që ka punuar pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë presidencës Klinton dhe tani është këshilltar i senatorit Obama për çështje të politikës së jashtme, thotë se kandidati ka premtuar se në se zgjidhet do të ndjekë rrugën e angazhimit diplomatik të vendeve të ndryshme dhe do të përmirësojë pozitën e Amerikës në botë. Ai i bëri komentet gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

"Një President Obama, nëse zgjidhet, beson se është e rëndësishme të angazhosh botën. Është e rëndësishme të kesh aleanca jo sa për të thënë pasi ato të japin efektivitet dhe legjitimitet, gjë që ka shumë rëndësi kur ke të bësh me kriza".

Ish presidenti Jimmy Carter thotë se Shtetet e Bashkuara kanë humbur autoritetin moral nën administratën e presidentit Bush. Por në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai tha se kjo mund të ndreqet shpejt nga një president si zoti Obama.

"Në fjalimin e inagurimit, ai mund të thotë – kur të jem president i Shteteve të Bashkuara, ne nuk do të torturojmë asnjë të burgosur; kur të jem president nuk do të hyjmë asnjëherë në luftë kundër vendeve të tjera, përveç rasteve kur ato kërcënojnë direkt sigurinë tonë; kur të jem president ne do të jemi mbrojtësit e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Pra e shikoni se në vetëm dhjetë minuta ai mund t'i tregojë botës dhe Amerikës të gjitha ndryshimet që mund të bëjë".

Pozicioni i zotit Obama në angazhimet diplomatike është ndryshe nga ajo e kandidatit presidencial republikan John McCain, veçanërisht për çështjen e Iranit, sipas zotit P.J. Crowley.

"Një nga çështjet ku ka një mosmarrëveshje të thellë mes një presidenti të mundshëm Obama dhe McCain është Irani. Marrëdhëniet tona janë të ngrira me këtë vend prej 30 vjetësh. Konservatorët në të dyja anët kanë dominuar këtë marrëdhënie dhe e kanë bërë të vështirë për Shtetet e Bashkuar dhe Iranin të takohen, të bisedojnë seriozisht dhe të zgjidhin çështjet".

Por ligjvënësi republikan Eric Cantor nga Virginia thotë se zoti Obama dhe veçanërisht kandidati i tij për nënpresident, Joe Biden janë në anën e gabuar të kësaj çështjeje.

"Në një nga çështjet më të rëndësihme të sigurisë kombëtare me të cilën përballet vendi dhe që është Irani, Joe Biden e ka gabim. Ai ka vazhduar të ndjekë politikën e angazhimit me një regjim që financon terroristët dhe ky nuk është drejtimi që na duhet. Kur shohim se Irani është një forcë destabilizuese, një kërcënim për sigurinë kombëtare, një vend që ka lidhje me grupe si Hamasi dhe Hezbollahu dhe kërcënon aleatin tonë, Izraelin, atëherë kemi një problem serioz".

Një çështje tjetër e rëndësishme në politikën e jashtme ku zoti Obama dhe zoti McCain nuk janë dakord është Iraku. Zoti Obama ka premtuar të tërheqë shumë nga trupat luftarake amerikane brenda 16 muajve pasi të ketë marrë detyrën. Zoti McCain ka thënë se forcat amerikane duhet të qëndrojnë në Irak derisa të arrihet fitore pa caktuar një kufi kohor.

Megjithëse zoti Obama dhe zoti Biden fillimisht nuk ishin dakort me vendimin për të hyrë në luftë në Irak – zoti Biden votoi për autorizimin e luftës në vitin 2002 kurse zoti Obama e kundështoi atë – këshilltari i zotit Obama, P.J. Crowley thotë se pozicionet e të dyve janë bashkuar qysh atëherë.

"Mendoj se ka një konsensus të përgjithshëm se në një mënyrë apo në një tjetër Iraku ishte një gabim i kushtueshëm. Çfarëdo që arritëm atje nuk do ta justifikonte koston përsa i përket jetës së irakianëve dhe amerikanëve të flijuar, dhe shpenzimet e një trilionë dollarëve apo më shumë".

Zoti Crowley thotë se sfida të tjera të rëndësishme që e presin presidentin e ardhshëm në politikën e jashtme përfshijnë Kinën, Pakistanin dhe kërcënimet e al-Kaidës. //iç//

XS
SM
MD
LG