Lidhje

Profili i kandidates për nënpresidente të republikanëve, Sara Pejlin



44 vjeçarja Sara Pejlin është e panjohur për shumicën e amerikanëve. Guvernatorja e Alaskës e zgjedhur nga senatori Mekejn si kandidatja republikane për nënpresidente e quan veten një nënë tipike. Por ajo është shumë më tepër se aq.


Shumë amerikanë po shtrojnë pyetjen se kush është Sara Pejlin. Të premten partia republikane ia prezantoi atë kombit si kandidaten republikane për nënpresidente.


Ajo është bashkëshorte dhe nënë e pesë fëmijëve. Fëmija i saj më i vogël vuan nga sindroma e daunit. Zonja Pejlin e dinte që gjatë shtatëzanisë se do kishte probleme. Por ajo është kundër abortit dhe është vlerësuar lart nga konservatorët në Amerikë për mbështetjen e saj ndaj zgjedhjes për të mos kryer marëdhënie seksuale paramartesore.

Por të hënën guvernatorja Pejlin tha se vajza e saj e pamartuar 17 vjeçare ka mbetur shtatzënë dhe do ta mbajë fëmijën. Pejlin dhe bashkëshorti i saj thanë se ata janë krenarë për vendimin e vajzës së tyre.

Ja ç’thotë guvernatorja për jetën e saj…

"Prindërit e mi punuan të dy në një shkollë fillore dhe si burri im dhe unë u rritëm duke punuar. Unë isha thjesht një mama që çonte djalin e saj në lojrat e hokejit".

Por ajo ishte gjithçka përveçse një mama e thjeshtë. Në shkollë të mesme ajo ishte një basketbolliste e shkëlqyer dhe ambicioze.

Përpara se t’i futej politikës, ajo u bë pronare e një biznesi peshkimi dhe reportere televizioni. Dhe sipas babait të saj… "Ajo kishte kokë më vete dhe nëse thoshte që kishte të drejtë dhe zakonisht ajo kishte të drejtë, kështu do bëhej".

Ajo u ngrit në detyrë nga anëtare e këshillit të qytetit në kryebashkiake e një qyteti të vogël dhe më pak se dy vjet më parë ajo u bë guvernatore e Alaskës. Si guvernatore ajo u është kundërvënë interesave të fuqishme dhe është në favor të çpimeve të mëtejshme për naftë në shtetin e saj gjë që është bërë një temë shumë e përfolur.


"Debati pa fund mbi burimet e energjisë është vërtet shqetësues lodhës për banorët e Alaskës pasi ne e dimë se këto burime janë gati për t’u zhvilluar më tej. Ne jemi gati të bëhemi pjesë e zgjidhjes, të prodhojmë dhe të japim kontributin tonë për pjesën tjetër të Amerikës”.

Guvernatorja Pejlin pëlqehet shumë në shtetin e saj ku gëzon popullaritet të madh. Reporteri i gazetës Anchorage Daily News, Met Zenkej thotë:

"Gjatë gjithë karrierës së saj njerëzit e kanë nënvlerësuar atë dhe shpesh ajo ka treguar se ata kanë pasur gabim".

Analisti politik Dejvid Mark shkruan për faqen politike Politico.com

"Nga njëra anë ajo është reformatore dhe kjo forcon mesazhin e zotit Mekejn. Ajo i është kundërvënë bazës republikane në Alaska dhe ka fituar. Së dyti ajo do të jetë një mbështetëse e fortë e çpimeve si në ujrat e Alaskës por edhe në Kaliforni dhe në gjirin e Meksikës”.

Si guvernatore ajo vizitoi trupat e Alaskës në Kuvajt ku tregoi forcën e saj me një automatik në dorë. Tani ajo ka si pikësynim fitoren e repulikanëve në zgjedhjet e nëntorit. Por demokratët thonë se ajo nuk është e përgatitur për të qenë kaq pranë presidencës dhe i mungon përvoja ndërkombëtare. Republikanët ngulin këmbë se ajo është gati t’i shërbejë vendit. Dhe ajo dëshiron të bëhet gruaja e parë zëvëndëspresidente e Shteteve të Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG