Lidhje

Kuvendi i Partisë Republikane: Kandidatja për nënpresidente mban sonte fjalimin kryesor


Personi i propozuar nga kandidati republikan për president Xhon Mekein për postin e nënpresidentes, guvernatorja e Alaskës, Sarah Pejlin, e cila nuk ka qenë shumë e njohur në fushën e politikës, pritet t’i prezantohet amerikanëve me një fjalim që do ta mbajë sonte në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve. Ditët e fundit janë zbuluar një sërë aspektesh që kanë të bëjnë me guvernatoren dhe familjen e saj, përfshi shtatzaninë e vajzës së saj 17-vjeçare, të pamartuar.

Pas disa ditë komentesh intensive në shtyp, guvernatorja Pejlin do të flasë vetë për këtë çështje sonte, që është edhe dita e tretë të konventës. Koha se kur do të flasë nuk është e sigurtë, për shkak të ndryshimeve në programin e Kuvendit, të kushtëzuara nga uragani Gustav, që goditi Gjirin disa orë para fillimit të takimit 4 ditor.

Zonja Pejlin, gruaja e parë në histori që republikanët kanë emëruar për postin e nën-presidentit, është një njeri me pikëpamje të forta konservatore, por në të njëjton kohë, një figurë tepër komplekse, e njohur për shembull sh si një gjuetare e apasionuar, e cila thuhet se pëlqen mes të tjerash, të hajë hamburger me mish dreri. Por reagimi fillimisht i bujshëm i medias javën e kaluar lidhur me zgjedhjen e papritur të zotit Mekein për postin e nënpresidentit, ka shkaktuar një valë kundërthëniesh mbi guvernatoren, që nga shtatzania e vajzës së saj, e deri tek mbështetja e saj për një projekt federal të debatueshëm në Alaskë, e deri tek grupimi i saj në një parti politike të Alaskës, e cila mbron idenë, për t’i lejuar banorët të vendosin vetë, në se do të kërkojnë pavarësi nga Shtetet e Bashkuara.

Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, dikur kandidat për President, Rudi Xhuliani, thotë se si guvenratore, zonja Pejlin ka më tepër ekperiencë në degën ekzekutive, se sa kandidati demokrat për president, Barak Obama. Megjithatë, gjatë një interviste për televizionin, zoti Xhuliani tha se zonja Pejlin do të duhet ta vejë veten në provë në fjalimin që do të mbajë sonte në Kuvend dhe gjatë ecurisë së fushatës së saj.

"Ajo duhet të mbajë sonte një fjalim të mirë dhe t’u përgjigjet mirë pyetjeve që do t’i bëhen. Duhet të shfaqë instikte të mira dhe unë mendoj se ajo do ta bëjë një gjë të tillë", tha zoti Xhuliani.

Fushata e senatorit Mekein këmbëngul se zonja Pejlin kaloi përmes tërë procesit të nevojshëm, para se të zgjidhej si nënpresidente.

Megjithatë, fushata ka bërë të ditur se senatori i Arizonës ishte takuar vetëm një herë me zonjë Pejlin para javës së kaluar dhe se punonjësit e fushatës zhvilluan një intervistë të hollësishme me guvernatoren një ditë para se asaj t’i ofrohej posti i kandidates për zëvendës presidente. E marta shënoi edhe rikthimin e kuvendit republikan në politikat partiake. Presidenti Bush ju drejtua kuvendit për 10 minuta përmes lidhjes satelitore dhe lavdëroi zotin Mekein, duke theksuar mbështetjen e tij për përpjekjet ushtarake në Irak dhe duke e cilësuar atë si një njeri që do ta mbrojë Amerikën nga sulme të tjera të mundshme terroriste.

“Jetojmë në një botë të rrezikshme. Kemi nevojë për një president i cili i kupton mësimet e 11 shtatorit 2001...se që të mbrojmë Amerikën ne duhet të rrimë në sulm, të ndalojmë sulmet para se ato të ndodhin...dhe jo të presim që të goditemi perseri. Njeriu për të cilin kemi nevojë është Xhon Mekein".

Folësit e tjerë i zgjeruan kritikat ndaj demokratëve, përfshi zotin Barak Obama. Senatori Xho Liberman, tani i pavarur, që ishte kandidat për nen-president i demokratëve gjatë zgjedhjeve të vitit 2000, tha se ai ishte aty për të mbështetur zotin Mekein pai, siç u shpreh ai, “atdheu është më i rendësishëm sesa partia”.

Protestues të tjerë u arrestuan dje jashtë qendrës së kuvendit. Demostratat pritet të vazhdojnë gjatë gjithë kuvendit, i cili arrin kulmin të enjten me fjalimin e zotit Mekein për të pranuar kandidaturën e Partisë Republikane. (ze)

XS
SM
MD
LG