Lidhje

Republikanët mbështesin zgjedhjen e guvernatores Pejlin 


Zgjedhja e guvernatores së Alaskës Sara Pejlin nga senatori Xhon Mekejn si kandidate për nënpresidente duket se është pëlqyer shumë nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Republikan në St. Pol të Minesotës. Shumica e delegatëve vazhdojnë të mbështesin kandidaturën e zonjës Pejlin edhe pas njoftimeve se vajza e saj 17-vjeçare Bristol është shtatzënë, megjithëse e pamartuar.

Vendimi i senatorit Mekejn për të zgjedhur guvernatoren Sara Pejlin si kandidate për nënpresidente i ka dhënë zemër një partie për të cilën analistët thonë se kishte nevojë për nxitje.

Senatori nga Kansas, Sem Braunbek, i tha Zërit të Amerikës se zgjedhja e zonjës Pejlin i ka gjallëruar konservatorët brenda një kohe shumë të shkurtër.

"Ata janë shumë të kënaqur për këtë dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur që prej tre vjetësh. Atyre u pëlqen që shohin dikë që e jeton jetën e vet dhe është e sinqertë në besimin e saj, si dhe mënyra se si prezantohet para të tjerëve."

Delegatët në kuvend e admirojnë qëndrimin e zonjës Pejlin ndaj abortit, mbështetjen e saj ndaj të drejtës për të pasur armë, si dhe faktin që ajo është gjuetare. Ata e shohin atë edhe si shembull, një nënë që punon dhe që vendosi ta mbante fëmijën e saj të fundit pavarësisht se ai ishte i sëmurë me sindromën Down.

Deri tani, entuziazmi nuk duket të ketë rënë nga njoftimet se vajza e pamartuar e zonjës Pejlin, Bristol, është shtatzënë. Familja thotë se Bristol do ta mbajë fëmijën e saj dhe do të martohet me babain e fëmijës.

Ndërkohë, guvernatorja Pejlin ka marrë një avokat në lidhje me një hetim për çështje etike në shtetin e saj të Alaskës, i cili deri tani nuk ka tërhequr shumë vëmendjen.

Anëtarja e kongresit nga Oklahoma, Meri Fellin, thotë se shumica e delegatëve janë shumë kënaqur me zgjedhjen e zonjës Pejlin dhe u vjen keq për situatën e saj familjare.

"Kjo tregon se ajo është një grua normale që ka probleme të përditshme si çdo familje tjetër amerikane. Shpresoj që ajo të flasë për mënyrën se si duhet të punojmë ne për sa i përket parandalimit të shtatzanisë tek adoleshentët. Në shtetin tim, rreth 40 përqind e fëmijëve që lindin vijnë nga nëna të pamartuara."

Zoti Mekejn e bëri publike zgjedhjen e zonjës Pejlin si kandidate për nënpresidente të premten e kaluar dhe kjo ngjalli mbështetje të jashtëzakonshme mes konservatorëve.

Aktivisti kundër taksave Grover Norkuist është njeri me ndikim brenda Partisë Republikane për sa u përket çështjeve ekonomike. Zoti Norkuist thotë se zgjedhja e zonjës Pejlin do ta ndihmojë partinë në lidhje me konservatorët fetarë në zgjedhjet e nëntorit.

"Disa njerëz vetëm flasin për vlerat tradicionale. Ndërsa kjo grua i ka përjetuar këto vlera, dhe kjo është shumë domethënëse për konservatorët republikanë, katolikët dhe protestantët evangjelikë."

Demokratët vënë në pikëpyetje nëse zonja Pejlin ka përvojë të mjaftueshme për t'u bërë nënpresidente, dhe nëse është shumë konservatore në pikëpamjet e saj shoqërore.

Zonja Pejlin ka qenë guvernatore e Alaskës për më pak se dy vjet, dhe përpara kësaj ishte kryetare bashkie e Vasilës në Alaskë, e cila ka një popullsi prej 9 mijë banorësh.

Por sprova më e rëndësishme e zonjës Pejlin mund të jetë në fillim të tetorit kur ajo të marrë pjesë në debatin e kandidatëve për nënpresident me senatorin Xho Bajden, i zgjedhur nga kandidati për president Barak Obama për Partinë Demokrate. //bsa//

XS
SM
MD
LG