Lidhje

Republikanët në ditën e dytë të kuvendit, në sulm kundër demokratëve


Republikanët vazhduan dje kuvendin, që tashmë i është kthyer punimeve normale. Dje Presidenti Bush iu drejtua delegatëve të mbledhur në St. Paul të Minesotës me një mesazh të përcjellë nga sateliti, ndërkohë që një numër figurash politike e kishin marrë fjalën më parë duke nënvizuar përse Senatori Xhon Mekein duhet të jetë presidenti i ardhshëm amerikan dhe duke kritikuar ashpër demokratët.

Presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij 10-minutësh, që e mbajti në Shtëpinë e Bardhë dhe që u transmetua nga sateliti në sallën e kuvendit, për të lavdëruar Senatorin Mekein, duke vënë në dukje mbështetjen e tij për shtimin e trupave në Irak dhe duke e cilësuar atë si një individ që do të mbrojë Amerikën nga sulme terroriste në të ardhmen:

"Ne jetojmë në një botë të rrezikshme. Na nevojitet një president i cili i kupton mësimet e nxjerra nga sulmet e 11 shtatorit: se mbrojtja e Amerikës kërkon që të jemi në ofensivë, që të ndalim sulme të tjera para se të realizohen dhe të mos presim të sulmohemi përsëri. Njeriu që na duhet është Xhon Mekein."

Folësit që e morën fjalën të martën sollën një ndryshim në tonin e kuvendit, duke u hedhur në kritika të intensifikuara ndaj demokratëve dhe rivalit të zotit Mekein, Senatorit Barak Obama.

Senatori Xho Liberman, i cili është deklaruar si i pavarur, por që ka qenë më parë kandidatit demokrat për nënpresident në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, tha se i ka dalë në mbështetje zotit Mekein, pasi "vendi është më i rëndësishëm se partia."

Zoti Liberman zgjoi kritika nga demokratët në Kongres për mbështetjen e tij ndaj Senatorit Mekein dhe politikave të Presidentit Bush në Irak. Ai vetë u shpreh dje me tone të forta kritike ndaj Senatorit demokrat Barak Obama:

"Kur të tjerët qëndruan në heshtje, Xhon Mekein kishte gjykimin e fortë të ngrinte zërin për gabimet që po bëheshin në Irak. Kur të tjerët donin të tërhiqeshim të humbur nga fushë-beteja, kur Barak Obama hodhi votën për të prerë fondet për trupat në terren, Xhon Mekein kishte kurajon për t'u ngritur kundër rrymës së opinionit publik dhe për të mbështetur shtimin e trupave. Si rezultat i këtij qëndrimi, sot trupat kanë filluar të kthehen në atdhe, jo të mundur, por me nder."

Xhon Boner, udhëheqës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, akuzoi udhëheqësit demokratë në Dhomë dhe Senat se nuk po bëjnë sa duhet për të zgjidhur problemet e Amerikës për burime të qëndrueshme energjetike.

Republikanët po përpiqen ta largojnë vëmendjen e publikut nga titujt e lajmeve dhe të përqendrohen tek punimet e Kuvendit, ndërkohë që Senatori Mekein dhe këshilltarët e tij ende vazhdojnë të ndeshen me pyetje lidhur me zgjedhjen e kandidates së tij për nënpresidente, Sara Pejlin. Njoftimi kohët e fundit se vajza e saj 17-vjeçare është shtatzënë dhe një hetim që është hapur ndaj saj lidhur me shkarkimin nga detyra të një zyrtari në shtetin e Alaskës, ku ajo është guvernatore, kanë ngritur pyetje mbi vendimin e zotit Mekein për të zgjedhur këtë kandidate. Megjithatë, vetë kampi republikan duket i kënaqur dhe plotësisht në mbështetje të kësaj zgjedhjeje. Senatori Mekein ka parashikuar se dalja e zonjës Pejlin sot në kuvend për të pranuar emërimin si kandidate për nënpresidente do të zgjojë entuziazmin e amerikanëve për kandidaturën e saj. //ad//

XS
SM
MD
LG