Lidhje

SHBA: Pasojat e uraganit Gustav në shtetet e Gjirit të Meksikës


Presidenti Bus shkon sot në shtetin e Luizianës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga uragani Gustav. Ai mbërrin sot në Baton Ruzh, ndërsa banorët e Nju Orlinsit bëhen gati të rikthehen në qytet pas evakuimit të detyruar. Dje, presidenti Bush tha se kishte shenja inkurajuese se Gustavi kishte shkaktuar më pak dëme sesa uragani Katrina para tre vjetësh. Nju Orlinsi i shpëtoi një katastrofe të madhe këtë javë kur uragani goditi bregdetin rreth 110 kilometra në jug-perëndim të këtij qyteti.

Kur uragani goditi bregdetin të hënën, njerzit u përgatitën shpirtërisht për dëme të mëdha. Në lagjen e njohur të Nju Orlinsit, French Quarter, dëmet ishin të dukshme. por pasi uragani e kaloi zonën, autoritetet thanë se dëmi nuk ishte aq i madh.

Pronari i hotelit, Mike Danner, tha se uragani Gustav nuk ishte asgjë në krahasim me Katrinën. Megjithatë, ai tha se për të dëmi ishte i konsiderueshëm.

“Dëme ka pasur, por gjendja mund të kishte qënë më keq. Riparimet do të jenë të kushtueshme, megjithatë ne i shpëtuam fare mirë kësaj stuhie dhe patjetër që do ta rimarin veten”.

Nju Orlins ishte bosh kur qyteti u godit nga uragani. Gati 2 milion njerëz respektuan paralajmërimet zyrtare dhe u larguan, duke lehtësuar kështu përpjekjet për pastrimin e qytetit.

Disa banorë si Robert Stewart vendosën të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre.

“Uragani solli kryesisht erëra të forta dhe shumë shi. Nuk e dëgjova gardhin e oborit kur u rrëzua, por më vonë e pashë nga dritarja”.

Para 3 vjetësh, Katrina, me errëra shumë të fuqishme, goditi qytetin Nju Orlins në mënyrë të parreshtur. Ngritja e nivelit të ujit theu digat, duke bërë që 80 për qind e qytetit të përmbytej. 1 mijë e 400 veta humbën jetën si pasojë e atij uragani.

Këtë herë digat i qëndruan uraganit Gustav, por në kanalin industrial të qytetit, dy anije u shkëputën nga vendi i akostimit, duke krijuar rrezik tek një mur, që përmbante përmbytjet. Eksperti Xhoëll Dupre thotë se do të duhet kohë që të riparohet dëmi.

“Ne do të mund t’i nxjerrim anijet brënda 2 ose 3 ditësh, megjithëse pjesa e tyre e mbrapme është zhytur keq në baltë”.

Guvernori i Luizianës, Bobbi Xhindël, paralajmëroi banorët se është tepër herët për t’u kthyer nëpër shtëpi.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë se mbetet shumë punë për t’u bërë. Uragani Gustav shkaktoi shumë dëme”.

Rreth një milion njerëz në zonën, që preku uragani, nuk kanë ende rrymë elektrike, ndërkohë që dëmi mund të kapi shumën e miliarda dollarëve. Por pas kaosit që shkaktoi uragani Katrina, banorët në Nju Orlins dhe në bregdetin e Gjirit të Meksikës janë të kënaqur me përgjigjen e shpejtë dhe efikase ndaj uraganit Gustav. (ze)

XS
SM
MD
LG