Lidhje

Kuvendi i republikanëve: Sot Xhon Mekein pranon zyrtarisht emërimin e partisë


Senatori republikan Xhon Mekein do të pranojë sonte zyrtarisht emërimin e Partisë Republikane për kandidatin presidencial, në ditën e fundit të Kuvendit të republikanëve në Seint Pol, të Minesotës.

Autori i fjalimeve të zotit Mekein thotë se senatori do të flasë për temat kryesore të fushatës së tij, do të theksojë ndryshimin e politikave të tij nga ato të kandidatit demokrat Barak Obama dhe do të bëjë thirrje për lënien mënjanë të ndasive partiake.

Zoti Mekein u emërua mbrëmë zyrtarisht, pak pasi delegatët u entuziazmuan nga një fjalim i zjarrtë i guvernatores së Alaskës, Sara Pejlin, personi i propozuar prej tij për postin e Nënpresidentit. Zonja Pejlin foli për eksperiencën e saj si kryetare bashkie e një qyteti të vogël, duke thënë se ishte njëlloj sikurse një organizator i komunitetit “të pranonte përgjegjësi konkrete”. Kjo deklaratë ishte një lloj goditjeje e mprehtë ndaj kandidatit presidencial të demokratëve Barak Obama, i cili e filloi karrierën e tij si organiztaor i komunitetit në Çikago.

Kandidati për nënpresident i zotit Obama, Xho Bajden, e kritikoi sot fjalimin e djeshëm të zonjës Pejlin, në një intervistë për televizionin ABC, duke thënë se ajo nuk përmendi çështje, si shërbimi shëndetësor, kriza e tregut të shtëpive, apo arsimi.

Zonja Pejlin është kandidatja e parë për postin e nënpresidentit e republikanëve, por kritikët thonë ajo nuk ka eksperincën e nevojshme për postin.

Sara Pejlin, një fjalim ku evidentohen arritjet e saj

Nga Xhim Frai
Zëri i Amerikës

Në fjalimin e saj në kuvendin e partisë republikane, kandidatja për nënpresidente Sara Pejlën i bëri një mbrojtje të jashtëzakonshme arritjeve të saj dhe zgjedhjes nga kandidati i partisë për president, senatori Xhon Mekein. E përballur me kritika për mungesë përvoje dhe pikëpyetje rreth familjes së saj, Guvernatorja e Alaskës, iu drejtua delegatëve në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve në St. Pol të Minesotës me një fjalimi të rëndësishëm që u shoqërua me duartrokitje.

Në një natë fjalimesh partiake, drejtues të tjerë të partisë i dolën në mbrojtje gruas së parë republikane që zgjidhet si kandidate për nënpresidente dhe u hodhën në sulm kundër demokratëve.

Në natën e tretë të kuvendit, sulmet e mprehta të drejtuesve të partisë republikane ndaj kandidatit demokrat u pritën me brohoritje nga delegatët. Ata kritikuan mbështetjen e senatorit Barack Obama për të drejtën e abortit, e quajtën atë të paaftë në marrëdhëniet e jashtme dhe thanë se nuk ka përvojë.

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut dhe pretendenti presidencial në fillim të garës, Rudi Xhuliani tha se zoti Obama nu ka drejtuar ndonjëherë një qytet, shtet apo biznes.

“Ai është kandidati për president më me pak përvojë në të paktën 100 vjetët e fundit. Nuk është një sulm personal, thjesht një e vërtetë: Barak Obama nuk ka drejtuar asnjëherë. Asgjë”, tha ai.

Brenda në sallë, ngjarja më e rëndësishme e mbrëmjes, ishte fjalimi i Sara Pejlën.

Zonja Pejlën, që sa ka hyrë në skenën e politikës kombëtare pranoi zyrtarisht emërimin e partisë së saj. E vetëquajtur si mamaja e hokeit, ajo përmendi tërthorazi bujën që familja e saj ka bërë në media.

Familja jonë ka ditë të mira dhe të këqija si gjithë të tjerat. Të njëjtat sfida dhe të njëjtat gëzime. Ndonjëherë edhe gëzimet më të mëdha sjellin sfida”, tha zonja Pejlin.

Ish kryetarja e bashkisë së një qyteti të vogël në Alaska iu përgjigj akuzave për mungesë përvoje duke sulmuar kandidatin demokrat i cili ishte një organizator komuniteti para se ti futej karrierës politike.

"Kryetari i bashkisë së një qyteti të vogël është si një organizues komuniteti përveç faktit se ka vërtetë përgjegjësi."

Ajo iu referua zotit Obama i cili ka thënë para disa kohësh se zhgënjimi nga humbja e vendeve të punës i bën njerëzit të gjejnë ngushëllim tek armët dhe feja.

“Ne, në qytetet e vogla nuk dimë si ta gjykojmë një kandidat i cili mbush me lëvdata klasën punëtore kur ata e dëgjojnë dhe pastaj thotë se sa të pakëndshëm janë ata që kapen pas fesë dhe armëve të tyre kur këta njerëz nuk janë duke e dëgjuar”, tha ajo.

Zonja Pejlën e quajti veten një reformatore që u doli kundër lobistëve dhe kompanive të naftës në shtetin e saj.

"Reduktova shumë gjëra në zyrën e guvernatorit që besoj se qytetarët s’kishin pse t’i paguanin. Avioni ishte i tepërt dhe e shita në eBay".

Ndërsa republikanët po i hedhin sytë nga fushata, ish guvernatori i Arkansas dhe kandidati i dikurshëm presidencial Majk Hakëbi i doli në mbrojtje zonjës Pejlën.

"Jam lodhur duke dëgjuar për mungesën e përvojës së saj. Dua t’u them diçka miqtë e mi. Ajo ka marrë më shumë vota në garën për kryesinë e bashkisë së Vasilas në Alaskë, sesa Xho Bajden mori në garën për president", tha ai.

Në mbyllje të fjalimit në skenë doli familja e zonjës Pejlën së bashku me vetë kandidatin. Senatori Xhon Mekein mbështeti prerazi zgjedhjen e tij.

"Kam bërë zgjedhjen e duhur për nënpresidenten e ardhshme të Shteteve të Bashkuara. Një familje e shkëlqyer," tha zoti Mekein.

Zoti Mekein do të flasë sonte në kuvendin e partisë. //lk

XS
SM
MD
LG