Lidhje

Meta: Interesi ynë i vetëm, fuqizimi dhe përfaqësimi i së majtës së vërtetë në Shqipëri

  • Intervistoi: Mero
  • Tiranë

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, u bë një kohë e gjatë që e majta po përjeton një moment të vështirë. Ka një përplasje të fortë mes jush dhe PS. Ju disa herë i keni bërëtë ditura shkaqet e kësaj situate. Duket sikur kjo marrëdhënie ka arritur në një pikë të pakthyeshme apo ka ende hapësira?

Ilir Meta: Mendoj se zgjedhja që ka bërë lidershipi i PS për të shkelur marrëveshjen e 5 partive opozitare që në thelb kishte bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe akoma më keq, vajta tej çdo parashikimi i lidershipit të PS tek objektivi i Sali Berishës për ta kthyer kushtetutën aty ku ai e aspironte që në 1994, pra te përqëndrimi i gjithë pushteteve në një dorë të vetme, pra sot te dora e kryeministrit- kryetar partie, akoma më saktë Sali Berisha, padyshim që ka krijuar një hendek shumë të thellë e parimor mes LSI e PS dhe mes gjithë të majtëve dhe socialistëve me lidershipin e kësaj partie. Shumë bashkëpunime të tjera jo parimore mes kryeministrit dhe kryetarit të PS, më shumë edhe për shkak të pozitës si kryebashkiak i Tiranës, jo vetëm që kanë sjellë muajt e fundit një opozitarizëm fals të kësaj partie, por natyrisht që kanë sjellë edhe debate sepse LSI duke goditur përpjekjet e Berishës për të uzurpuar institucionet, për të kufizuar kompetencat e presidentit, nuk mund të mos atakonin edhe bashkëpunëtorët e Berishës, që në mënyrë flagrante kanë qenë përfaqësuesit e PS.

Zëri i Amerikës: Ka një ofertë të socialistëve për një koalicion të përbërë. E keni refuzuar, duke thënë se është një koalicion bishtash. A mund të na shpjegoni konkretisht pse jeni kundër. Një koalicion i tillë ruan identitetin e partive, tregon peshën reale dhe nuk lejon të shkojnë dëm disa pjesëza votash...

Ilir Meta: Ju vetë në pyetjen tuaj evidentuat mos shkuarjen dëm të pjesëzave të votave. Nëse ky është prekupimi i lidershipit të PS nuk kishte pse të bëhej ajo inciatorja e modelit spanjoll që është një model absurd.për kushtet e Shqipërisë. Dhe së dyti nëse ende e kanë këtë shqetësim duhet të aplikojnë korrektimin nacional të votës proporcionale në mënyrë që asnjë votë opozitare të mos shkoj dëm. Pse ne e konsiderojmë këtë si një koalicion bishtash? Sepse prioriteti në diskutimin e këtij lloj koalicioni është ai i marrjes apo këmbimit të presjeve dhjetore, më shqip do të konsideroheshin si bishta. Natyrisht që koalicionet nuk ndërtohen mbi raportet e presjeve dhjetore, por ndërtohen mbi programe, objektiva dhe platforma të përbashkëta. Si mund të quhet koalicion një vendosje e tillë e partive ku secila ka programin e vet, edhe pse në shumë gjëra esenciale mund të ketë dallime thelbësore, siç është rasti i Kushtetutës, një problem shumë madhor dhe si mundet të flasim për një koalicion të vertetë e real. Është një gjetje e stisur, është shprehje e krizës ku është futur sistemi zgjedhor, për shkak të vijes së gabuar, marrjes së një modeli që s’ka lidhje fare me Shqipërinë. Nuk dua të hyjë në veçantitë e Spanjës që funskionon si një konfederatë, që ka territore jashtë vendit apo probleme të tjera. Dhe kjo është mungesë e vullnetit të lidershipit të PD dhe PS për për një reformë zgjedhore sipas standarteve apo parametrave evropianë.

Një ndarje e tillë në dy koalicione të përbëra, gjoja nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për ta ndarë politikën shqiptare në pozitat e saj të vjetra, të dominuar artificialisht nga dy parti dhe të tjer në raporte vasaliteti, apo inferioriteti me to. Pra, është një lojë për të kufizuar demokracinë dhe ky është projekti i përbashkët i Berishës dhe Ramës, dhe për t'i zhveshur qëllimisht partitë e tjera nga identiteti, nga veçantitë e tyre dhe në këtë mënyrë t’u mohojnë zgjedhësve, që të bëjnë një zgjedhje të pavarur nga PD e PS. Ne kur jemi në koalicion, jemi në koalicion. Ne këtë e treguam në mënyrë shumë të qartë në zgjedhjet e 2007, ku pjesmarrja dhe kontributi tepër luajal i LSI ishte faktor kryesor për fitoren, të paktën në qytetet kryesore të kandidatëve të përbashkët të opozitës. Kur nuk jemi, nuk jemi dhe nuk mund të bëhemi pjesë e këtij bastardimi të reformës zgjedhore.

Reforma ka qenë e mbetet një obligim i jashtëzakonshëm i LSI. Ne nuk u bëmë pjesë e Dushkut në 2005 dhe nuk mund të bëhemi tani pjesë e makinacioneve. Ne I paralajëmruan që në fillim. Nëse kanë shqetësimin që të mos humbasë qoftë edhe një vote e vetme duhet të insistojnë për korrektimin nacional të votës. Eshtë e domosdoshme përsa kohë sisistemi është proporcional.

Zëri i Amerikës: Por janë të shumtë ata qoftë edhe juristë, që deklarojnë se korrektimi nacional do të humbte sensin e sistemit proporcional rajonal….

Ilir Meta: Absolutisht jo. Sepse nëse sensi ka qenë deformimi i votës, atëherë kemi të bëjmë me një model, që synon të devijojë nga principi proporcional. Së dyti, ne e dimë, që përgjithësisht kudo, sisitemi proporcional rajonal ose është ndërtuar mbi ndarjen e vendit në rajone të barabarta elektorale, pra numër votuesish siç kemi rastin e Maqedonisë, në 6 rajone nga 20 deputete, ose në rastin kur bazohet në një ndarje administrative të deformuar, si në rastin e Shqipërisë, për arsye gjeografike apo demografike, atëhere, padyshim, korrektimi është kërkesë e padiskutueshme, për të respektuar principin, që është proporcionali

Zëri i Amerikës: Duket se është krijuar një hendek i madh…

Ilir Meta: Hendekun nuk e kemi krijuar ne. Ne kemi qenë të hapur për çdo lloj sisitemi, mjaft që të ishte i ndershëm. Zvarritjet nuk i kemi bërë ne. Ne kemi kërkuar që në fillim, që komisioni për reformën zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga Rusmajli dhe Islami, të funksiononte në kohë e përpara samitit të Bukureshtit të dilnim me një reformë të përfunduar. Kanë qenë këto dy forca politike që kanë bllokuar qëllimisht gjithshka, pasi vuajnë në mënyrë të pashërueshme nga sindroma e prishjes së zgjedhjeve në Shqipëri për interesa të vogla. Ne kemi qenë të hapur për çdo lloj sistemi. Ne kemi qenë të hapur edhe për mazhoritarin e pastër, pasi votuesit e marrin vetë përgjegjësinë për zgjedhjen që bëjnë. Por, jemi kundër lojrave e makinacioneve.

Zëri i Amerikës: Ju, pas acarimit të marrëdhënieve me socialistët tentuat krijimin e një koalicioni jashtë PS, me zotin Milo dhe Ceka. Por tani kemi zotin Milo të rikthyer te PS?

Ilir Meta: Mendoj se ka disa keqkuptime. Së pari, nuk kemi patur asnjë marrëveshje me asnjë forcë politike për këtë koalicion të ri. Ashtu siç është e vërtetë, se ne kemi ideuar kur lidershipi i PS shkeli marrëveshjen me opozitën dhe me LSI për reformën zgjedhore, paralajmëruam krijimin e një koalicioni të ri "E Majta për integrim". Dhe në këtë kuadër, disa forca dhe aktorë të ndryshëm, shprehën përkrahjen, apo simpatitë e tyre. Ne nuk kemi nënshkruar asnjë marrëveshje me askënd. Pra, nuk mund të themi se dikush është larguar. Edhe rikthimi i zotit Milo ne PS apo PSD, është një e drejtë e tij, të cilën e respektojmë, sepse secili është sovran për vendimet e tij, sikundër na vjen keq që argumenti i tij për të na ftuar edhe ne që të bashkohemi, është se edhe pse PS gaboi rëndë me kushtetutën dhe nuk i pyeti aleatët, edhe pse gaboi rëndë me reformën zgjedhore dhe sot kemi reformë, e cila nuk është e standarteve demokratike apo evropiane, pavarësisht të gjitha këtyre, të bashkohemi, pasi sipas zotit Milo, jemi të vegjël dhe nuk kemi rrugë për të mbijetuar. Ne kemi një filozofi tjetër, atë të ndërtimit të koalicioneve dhe qëndrimit në politikë, bazuar në disa principe shumë të rëndësishme, nga të cilat nuk mund të devijojmë dot. Nëse zoti Milo u bë pjesë e Dushkut në 2005, ne nuk u bëmë me ndërgjegje të plotë. Ne shpresuam se filozofia e tij ishte e përbashkët me atë të LSI. Por në politikë, secili bën zgjedhjen e vet dhe merr përgjegjësinë e vet dhe ne i urojmë suksese aty ku ka shkuar!

Zëri i Amerikës: A i druheni faktit se në rast të një humbjeje në zgjedhjet e 2009, ju do të vuani pasojat, apo do të shiheni si shkak i kësaj humbjeje?

Ilir Meta: Në rast se lidershipit të PS dhe zotit Rama i intereson thjesht një alibi, që në rast të një humbjeje të përdorë argumentin, se ishte qëndrimi i LSI ai që solli këtë rezultat të dështuar për PS, atëherë ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për këtë qëllim, që i ka vënë vetes zoti Rama. Ky është një problem për PS, nëse asaj i mjafton, apo e kënaq një justifikim i tillë. Ne kemi për qëllim fitoren e forcave progresiste në zgjedhjet e vitit 2009. Dhe jemi të bindur, se koalicioni ynë do t’i shërbejë përfaqësimit të të gjithë atyre, që ndihen të tradhëtuar nga veprimet e lidershipit të PS, nga bashkëpunimi tepër i dëmshëm dhe i errët me Sali Berishën, që nga dhunimi i Kushtetutës, por edhe më tej, në gjithë dëmtimin e funksionimit demokratik të institucioneve. Dhe në këtë drejtim jemi të bindur, se rritja dhe fuqizimi i LSI dhe koalicionit "E Majta për Integrim" ndihmon në fuqizimin e dimensionit opozitar në vend dhe maksimizimin e përfaqësimit të të gjithë socialistëve dhe progresistëve në Shqipëri..

Zëri i Amerikës: Kush do të përfaqësohet në këtë koalicion?

Ilir Meta: Unë besoj se është ende herët. Besoj se dje u dha një sinjal me aderimin e deputetit të njohur socialist Petro Koçi dhe jam i sigurt, se do ketë shumë subjekte të tjera, por edhe aktorë të njohur të shoqërisë civile. Pra, do të jetë një koalicion shumë i gjerë, një koalicion shumë përfaqësues. Dhe koha është përpara, për të zbardhur edhe evidentuar këtë koalicion, që do të jetë një koalicion fitues

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, qarkullon edhe një ide, se ju do të ishit të “interesuar” në thojza për një humbje të zgjedhjeve, pra do të pranonit edhe 4 vite të tjera në opozitë, për të patur një PS të dobët ose pa Edi Ramën, që do të mundësonte ndoshta një rritje të peshës suaj brenda së majtës...

Ilir Meta: Ky nuk është aspak interesi ynë. Dhe është një arsyetim i gabuar, nëse do të ishim të interesuar për shkatërrimin e PS, apo eleminimin politik të zotit Rama. Ne këtë mundësi e kishim në vitin 2007. Zoti Berisha na është lutur, jo vetëm ai por edhe ambasadorë të huaj, që të bënimin kodin pa certifikatat e garancisë që kërkonte zoti Rama e të gjithë ne. Dhe ne këtë mund ta bënim. E padyshim që sot, Zoti Rama mund të ishte sërish në Paris e jo në krye të Bashkisë, as në krye të PS dhe jo në krye të aferave të përbashkëta me zotin Berisha; besoj të gjithë e kanë të qartë situatën e zgjedhjeve 2007. Por ne këtë nuk e bëmë, se kishim nënshkruar një marrëveshje, ku interesi ynë i përbashkët ishte fitorja e opozitës përballë Sali Berishës. Kështu që nuk ekziston asnjë mundësi për të mbështetur skenare të tilla. Interesi ynë i vetëm është fuqizimi dhe përfaqësimi i së majtës së vërtetë në Shqipëri, e cila ka marrë një goditje të rëndë nga një politikë klienteliste dhe aventuroze nga lidershipi i saj. Ndoshta gjërat mund të jenë ndryshe. Kryetarit të PS mund të mos i bëjnë përshtypje humbja në vitin 2009, pasi ka mandatin e Kryetarit të Bashkisë deri në vitin 2011 dhe koncesionet që ka marrë nga kryeministri Berisha pas zgjedhjeve të 2007, i mjaftojnë për të kënaqur ambiciet personale dhe të onturazhit të tij. Por, jam i bindur, se kjo nuk i intereson shumë socialistëve të thjeshtë që janë në opozitë, sikundër jemi të gjithë.

XS
SM
MD
LG