Lidhje

Xhon Mekein fillon fushatën si kandidat presidencial zyrtar i PR-së


Senatori republikan Xhon Mekein po fillon fushatën si kandidati zyrtar i Partisë Republikane për President, me ndalesa në Uiskonsin, Miçigan dhe Kolorado.

Në një tubim fushate në Sidërbërg të shtetit Uiskonsin, senatori Mekein premtoi të luftojë korrupsionin dhe t’i kundërvihet presionit të grupeve me interesa të veçanta në kryeqytetin e vendit.

Zoti Mekein e pranoi zyrtarisht dje emërimin e partisë së tij, në ditën e fundit të kuvendit kombëtar republikan në Sejt Poll të Minesotës.

Në fjalimin që mbajti mbrëmë, senatori veteran nga Arizona përqafoi imazhin e një politikani që punon pa dallime partiake. Ai premtoi se bashkë me kandidaten për nënpresidete, guvernatoren e Alaskës, Sara Pejlin, do të punojë për të reformuar Uashingtonin.

Zoti Mekein tha se partia e tij humbi besimin e popullit amerikan kur disa republikanë nuk i rezistuan joshjeve të korrupsionit.

Por senatori Mekein tha se ekziston një ndryshim i madh mes tij dhe kundërshtarirt të tij demokrat, Barak Obama. Ai e kritikoi senatorin e shtetit Ilinoi për një numër çështjesh, përfshirë ekonominë, arsimin dhe energjinë.

Me anë të një deklarate sot, kandidati demokrat për nënpresident, Xho Bajdën, i bëri sfidë pretendimit të zotit Mekein si një politikan që i kapërcen dallimet partiake, duke vënë në dukje se ai ka votuar në 90 përqind të rasteve në mbështetje të presidentit Bush.

Në një deklaratë nga fushata e senatorit Obama, thuhej se senatori Mekein shpërfilli faktin që kishte qenë pjesë e politikës së Uashingtonit për gati 30 vjet.//lk

XS
SM
MD
LG