Lidhje

Vendet e Evropës Lindore dhe problemet e qeverisjes së mirë


Ndërkohë që vendet e bllokut lindor, njëri pas tjetrit hodhën poshtë komunizmin dhe dominimin e ish-Bashkimit Sovjetik, ato kërkojnë t’i bashkohen organizatave si NATO dhe Bashkimi Evropian. Për disa prej këtyre vendeve, si Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria, kjo ishte relativisht e lehtë, por të tjerë ende përballen me probleme të qeverisjes së mirë dhe të shoqërisë civile.

Analistët në rajon përgjithësisht vënë në dukje shumë pengesa për të pasur demokraci dhe qeverisje të mirë, duke përmendur krimin e organizuar dhe korrupsionin në institucionet qeveritare, mungesën e profesionistëve me eksperiencë, institucionet e dobëta demokratike dhe koalicionet e paqëndrueshme.

Gazetari bullgar, Ilin Stanev, korrespondet i gazetës së përditëshme Dnevnik dhe asaj të përjavshme Kapital, thotë se sfida më e madhe mund të karakterizohet si mungesë kurajoje. Dhe në fakt, thotë ai, të gjithë e dine se çfarë duhet bërë, por mungon vullneti.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë jashtë kontrollit, sepse shoqëria civile nuk kishte forcën e duhur për t’i luftuar. Problemi qëndron në faktin se demokracia në Bullgari nuk është aq e fortë. Kur flet për demokraci, zakonisht mendohet për zgjedhje të lira. Kjo është vetëm pjesa e dukshme e ajzbergut. Nën nivelin e detit duhet të flitet për zbatimin e ligjit dhe shoqërisë civile. Është e pamundur ta detyrosh administratën shtetrore të luftojë krimin e organizuar. Të gjithë e dinë çfarë duhet bërë, por duhet kurajo”.

Në Bukuresht, analistja rumune Suzanë Dobre, drejton një grup pune, që promovon qeverisjen e mirë dhe integritetin në arenën politike. Ajo thotë se nën presionin për plotësimin e kërkesave për anëtarësi në Bashkimin Evropian, Rumania miratoi ligje për të luftuar padrejtësinë dhe korrupsionin, por fatkeqësisht kjo përpjekje nuk është mbështetur.

“Pas 2007-ës, ne vumë re një rënie të vullnetit polik për ta vazhduar atë, një dëshirë për të ngadalësuar reformat e filluara përpara anëtarësimit. Ndoshta, sfida kryesore për Rumaninë është, krijimi i një klase politike, e gatshme të vazhdojë reformat në këtë fushë”.

Por në fusha të tjera ka zhvillime pozitive, thotë Suzan Dobre. Për shembull, media në Rumani është më e hapur. Sidoqoftë, pronësia e mediave të mëdha shpesh është e lidhur me qeverinë ose partitë kryesore politike. Sipas saj, është e vështirë të thuhet sa të sakta dhe të balancuara janë informacionet, që jepen nga këto gazeta dhe rrjete televizive.

Në Bullgari, Ilin Stanev thotë se shtypi është përgjithsisht i lirë, por televizioni është një problem më vete.

“Televizioni publik influencohet nga qeveria, ndërsa kanalet private infuencohen nga politikat, si për shembull liçensimi e kështu me rradhë. Gazetat janë të lira, por ndodh që ato vetë censurohen”.

Gazetarja serbe, Svetllana Vukuviç, autore e programit Peshkanik në stacionin e pavarur Radio-92 në Beograd, thotë se Serbia përfaqëson një rast të veçantë në botën ish-komuniste.

“Vende si Bullgaria dhe Rumani, pas rënies së Murit të Berlinit në 1989, zgjodhën rrugën e demokratizimit dhe integrimit evropian. Por, Serbia zgjodhi nacionalizmin dhe luftën. Shumica e partive dhe financuesit e tyre ishin njerëz që u pasuruan nga lufta gjatë viteve 90-të. Shkatërrimi arriti kulmin me vrasjen e Kryeministrit Zoran Xhinxhiq në 2003. Ai ishte njeriu që këmbëngulte në integrimin evropian”.

Svetllana Vukuviç shpjegon se populli serb i rezistoi stilit të demokracisë evropiano-perëndimore dhe amerikane, pjesërisht për shkak se NATO, siç shpehet ajo, mori Kosovën tonë të çmuar.

“Qeveria e re mbështet plotësisht integrimin evropian, por në rrugë organizohen demonstrata të dhunshme dhe një pyetje e rëndësishme është nëse kjo qeveri do të jetë e aftë të reformojë shoqërinë serbe apo do të kemi zgjedhje të reja. Do të jepi apo jo pjesë e Evropës?

"Tani ne jemi një shoqëri e ndarë rreth këtij problemi”.

Gjithashtu, për arsye se media në Serbi i përket partive politike, është është e vështirë që ajo të jetë e pavarur.

Pavarësisht pengesave, ka njerëz në Serbi, Bullgari dhe Rumani dhe në shtetet e ish-Jugosllavisë që vazhdojnë të luftojnë për demokraci dhe qeverisje të mirë. Po shumë analistë perëndimorë besojnë se ndryshimi i vërtetë do të kërkojë që udhëheqësit politikë të angazhohen për zbatimin e ligjit. //bsa//

XS
SM
MD
LG