Lidhje

SHBA: Kandidatët për president sfidojnë aftësitë e njëri-tjetrit për të sjellë ndryshime në Amerikë


Kuvendit Kombëtar të republikanëve nuk i munguan sulmet ndaj kandidatit presidencial të demokratëve Barak Obama. Po ashtu gjatë punimeve u bënë të qarta strategjitë që do të ndjekin republikanët gjatë fushatës zgjedhore në ditët e ardhshme. Korrespondenti i Zërit të Ametrikës Xhim Malone njofton nga Shën Poli i Minesotës.

Gjatë Kuvendit të Partisë Republikane, tre njerëz ishin në qendër të vëmendjes, i emëruari i Partisë për president, Xhon Mekein, kandidatja e tij për nënpresidente, Sarah Pejlin dhe rivali politik i zotit Mekein, Barak Obama.

Ish anëtari i Kongresit nga Teksasi dhe ish udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delay, thotë se pati një arsye për të gjitha sulmet në Kuvend ndaj Barak Obamës.

"Zoti Mekein duhet ta përkufizojë zotin Obama për atë që ai përfaqëson, një socialist radikal. Vetëm në se ai e bën një gjë të tillë, mendoj se ai do të ketë mundësinë t'i fitojë zgjedhjet".

Folësit republikanë në kuvend e kritikuan senatorin 47-vjeçar Barak Obama, për atë që ata besojnë se është mungesa e eksperiencës, krahasuar me zotin Mekein, i cili shërben në Kongres që nga viti 1982. Folësit, po ashtu e portretizuan zotin Obama, si një nga demokratët më liberalë në Senat.

Republikanët po ashtu shpresojnë, që edhe komentatorët konservatorë të medias, si Mike Gallagher, do të trumpetojnë kundërshtimin ndaj Obamës në emisonet e tyre.

"Unë besoj me të vërtetë, se nuk do të jetë aspak mirë për vendin tonë, në se ai zgjidhet president i SHBA-së. Mendoj se republikanët duhet ta ngrenë zërin kundër Barak Obamën, ndërsa nxjerrin në pah konsevatorizimin e Xhon Mekeinit".

Shumë nga delegatët në kuvendin e republikanëve fishkëllenin, sa herë që përmendej emri i Barak Obamës në fjalimet e ndryshme. Disa nga delegatët, megjithatë, patën një ton më të moderuar kur bënin bilancin e ndryshimeve të tyre me senatorin e Ilinoit. Gale Sayers është delegate republikane e Teksasit.

"Natyrisht, që mua ai më pëlqen si njeri. Por, si republikanë dhe konservatorë, ne e dimë, se ndryshimet mes nesh janë tepër, tepër të qarta. Nuk ka asnjë dyshim lidhur me këtë".

Sigurisht, që pati një numër të vogël demokratësh, të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve dhe të cilët e kundështuan retorikën anti-Obama. Njëri prej tyre, që u shfaq në kuvend, ishte Kryetari i Bashkisë i qytetit pranë, Mineapolis, demokrati R.T. Rybak.

"Unë ndjehem shumë më mirë kur përmendet Barak Obama, sepse ai e ka frymëzuar mbarë vendin tonë. Ajo që mund të bëjnë republikanët, janë vetëm sulmet, ata nuk mundet të frymëzojnë më askënd. Pra, në se ata duan të bëjnë gjithshka negative që kanë në dorë ta bëjnë, kjo s'ka problem. Ne kemi një kandidat fenomenal, Barak Obamën dhe ai ka për të qenë presidenti i ardhshëm i Amerikës".

Analistët politikë, të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve, thonë se ekziston një llogjikë në strategjinë e republikanëve, për ta bërë Barak Obamën një çështje kryesore të fushatës. Norman Ormstein është ekspert në Institutin Amerikan Enterprise, në Washington.

"Kemi të bëjmë me zgjedhje, kur njerëzit kërkojnë ndryshim dhe ata i identifikojnë demokratët si partia e ndryshimeve. Por Barak Obama në zgjedhjet e këtij viti, ashtu sikurse Ronald Regan në ato të 1980, duhet të kapërcejnë pengesën e të pranuarit nga njerëzit, që ata të ndjehen mirë me një president si ai".

Norman Omstein dhe analistë të tjerë thonë se Barak Obama do ta fitojë garën presidenciale, ndoshta me një diferencë të ngushtë votash, kryesisht sepse votuesit duken këtë vit më tepër të shqetësuar për çështjet ekonomike.

Eksperti nga Washingtoni Stuart Rothenberg thotë se faza tjetër e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale do të jetë kur kandidatët të marrin pjesë në debatet e transmetuara me televizion.

"Tani gara presidenciale duket se do të jetë tepër e ngushtë. Duket sikur ajo do të varet nga votat e Ohajos, Kolorados, Virxhinias dhe Miçiganit, si dhe një numër i vogël shtetesh të tjera, pavaresisht nga vota popullore. Prandaj, një moment hezitimi në një kohë tepër kritike, kur sytë e të gjithë botës janë drejtuar këtu, mund të jetë vendimtar".

Në peridhën nga fundi i shtatorit deri në mesin e tetorit, do të zhvillohen tre debate presidenciale dhe një tjetër mes dy kandidatëve për nënpresident. //iç//

XS
SM
MD
LG