Lidhje

Çangirai: Nuk do të nënshkruaj marrëveshje politike pa kompetenca


Udhëheqësi i opozitës në Zimbabve, Morgan Çangirai, tha se do të ishte më mirë për partinë e tij që të tërhiqej nga bisedimet për ndarjen e pushtetit me presidentin Robert Mugabe, se sa të pranojë një marrëveshje të pakënaqëshme.

Zoti Çangirai tha të dielën në Harare se ai nuk do të nënshkruajë një marrëveshje politike, nëse nuk i jepen kompetenca të mjaftueshme.

Duke folur në festimet me rastin e 9 vjetorit të krijimit të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim, Çangirai e sfidoi presidentin Mugabe që të mbajë zgjedhje të reja për të zgjidhur krizën politike.

Partia e Morgan Çangirait fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në muajin mars. Por zoti Mugabe zhvilloi një raund balotazhi në zgjedhjet presidenciale, duke thënë se Çangirai nuk ka fituar shumicën në raundin e parë të votimeve.

Çangirai e bojkotoi raundin e balotazhit, në shenjë proteste ndaj akteve të dhunshme që u ndërmorën ndaj mbështetësve të tij, duke i dorëzuar zotit Mugabe një fitore të lehtë. //bsa//

XS
SM
MD
LG