Lidhje

Vizita e Çejnit në Ukrainë shihet si shenjë mbështetjeje për këtë vend


Udhëtimi i nënpresidentit amerikan Dik Çejni në Ukrainë shihet si shenjë e mbështetjes amerikane për këtë vend pro-Perendimor dhe për qeverinë e tij pro-Natos. Por vizita e nivelit të lartë vjen në një kohë përshtjellimesh në qeverinë e Ukrainës, të përfshirë nga mosmarrëveshje të thella mes presidentit Viktor Jushçenko dhe kryeministres Julia Timoshenko. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedynsky njofton nga Moska se drama politike në Ukrainë ka ndërlikuar marrëdhëniet ukraino-ruse.

Titujt kryesorë të gazetave ruse dhe njoftimet televizive nga Kievi informojnë lexuesit dhe shikuesit se Revolucioni Portokalli i Ukrainës ka marrë fund dhe se drejtuesit e tij kryesorë, presidenti Viktor Jushçenko dhe kryeministrja Julia Timoshenko janë kthyer në armiq të betuar. Ata kanë patur mosmarrëveshje për një kohë të gjatë lidhur me politikat e brendshme dhe që të dy synojnë të konkurojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009.

Zoti Jushçenko në përgjithësi mbështet ekonominë e lirë të tregut ndërsa zonja Timoshenko favorizon një rol më të madh të qeverisë. Mosmarrëveshjet e tyre u përshkallëzuan pas konfliktit gjeorgjian, kur presidenti favorizoi hapur Tbilisin, ndërsa kryeministrja qëndroi e heshtur.

Kjo bëri që përkrahësit e zotit Jushçenko ta akuzonin atë për tradhëti të lartë, pasi sipas tyre, kishte mbështetur Rusinë. Të mërkurën pati një tjetër përplasje politike, kur partia e zonjës Timoshenko, e cila qeveris në koalicion me partinë e presidentit, u bashkua me opozitën për t'i transferuar disa nga kompetencat presidenciale në duart e postit të kryeministrit.

Lëvizja e zonjës Timoshenko bëri që presidenti Jushçenko të thotë se de fakto ishte krijuar një koalicion i ri parlamentar, që bashkon partinë e kryeministres me Komunistët dhe Partinë e Rajoneve, që ka mbështetje të madhe në zonat që flasin rusisht të Ukrainës. Presidenti ukrainas tha se transferimi i pushtetit nuk u shërben interesave kombëtare të Ukrainës, dhe ai i akuzoi ata që votuan për të, për një grusht shteti që tradhëton interesat e vendit dhe prish koalicionin demokratik.

Në Moskë, deputeti rus Kostantin Zatulin, që është gjithashtu nënkryetar i Komisionit të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura në Parlament, thotë se Rusia nuk është e kënaqur nga krizat politike që kanë kapur Ukrainën vitetet e fundit.

Arsyeja, thotë zoti Zatulin, është se këto paqëndrueshmëri, e bëjnë të vështirë zhvillimin e marrëdhënieve afatgjata midis Ukrainës dhe Rusisë. Ai thotë se kjo lidhje po dobësohet, pasi Rusia nuk mund të mbështetet tek një partner i paqëndrueshëm.

Ndër çështjet e rendit të ditës në marrëdhëniet ukraino-ruse është statusi i Flotës ruse në Detin e Zi. Moska ka një marrëveshje me Kievin për të përdorur portin e Sevastopulit, në Gadishullin e Krimesë, deri në vitin 2017. Zonja Timoshenko thotë se Kievi nuk do ta respektojë marrëveshjen e tanishme. Zoti Jushçenko ka thënë se marrëveshja nuk do të zgjatet. Ai protestoi gjithashtu faktin që anijet ruse të ankoruara në Sevastopol u nisën për të luftojnë në brigjet gjeorgjiane, gjë që i tensionoi edhe më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Kievit.

Në janar, kryeministrja Timoshenko dhe presidenti i bënë thirrje Natos të përfshinte Ukrainën në Planin e Veprimit të Aleancës për Anëtarësim. Deputeti rus Kostandin Zatulin thotë se mbetet për t'u parë në se qëndrimi zyrtar i Ukrainës për Naton do të ndikohet nga grindjet në nivelet e larta të vendit.

Operacionet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji shtuan spekullimet se Moska do të vinte në shënjestër për të aneksuar disa pjesë të Ukrainës, përfshi Gadishullin e Krimesë, që Bashkimi Sovjetik e kaloi nga Rusia në Ukrainë në vitin 1954.

Gjatë vizitës së tij në Kiev, nënpresidenti amerikan Dik Çejni shprehu mbështetje për anëtarësimin e Ukrainës në Nato, duke theksuar se shpresat më të mëdha të vendit për të përballur kërcënimet e tiranisë, shantazhin ekonomik, invazionin apo kërcënimin, është të jetë i bashkuar brenda vendit dhe me demokracitë e tjera. //iç//

XS
SM
MD
LG