Lidhje

Hollbruk: Është e pakuptimtë të krahasohen Kosova dhe Gjeorgjia


Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Riçard Hollbruk tha të hënën në Prishtinë se Bashkimi Evropian nuk do të duhej të hapte dyert për Serbinë përderisa ajo nuk pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Ambasadori Hollbruk i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit politikë të Kosovës në kuadër të një vizite, të parën që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Ambasadori Hollbruk i cili ishte hartues i marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë, ishte angazhuar dhjetë vjet më parë në përpjekjet për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës. Ai tha të hënën se pavarësia e Kosovës është ngjarje historike për botën por në radhë të parë për njerëzit e saj. Ai tha se njohja e Kosovës nga 46 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian është e kënaqshme.

"Arsyeja pse njohja është më e ngadalshme sesa do të dëshironin ca njerëz këtu është e thjeshtë. Rusët kanë filluar një fushatë të gjerë kundër saj nëpërmjet ambasadave të tyre në tërë botën. Ata nuk kanë asnjë arsye për një gjë të tillë. Nuk kanë interesa strategjike këtu por mohojnë vullnetin demokratik të popullit të Kosovës", tha zoti Hollbruk.

Ai shtoi se njohja e 46 vendeve në rrethana të tilla është shumë e mirë. Ai shprehu bindjen se ky numër do të rritet duke u bërë thirrje Maqedonisë dhe malit të Zi që të njohin Kosovën.

Ambasadori Hollbruk hodhi poshtë çdo krahasim ndërmjet Kosovës dhe rajoneve gjeorgjiane të Osetisë jugore dhe Abkhazisë.

"Është absolutisht e pakuptimtë. Nuk asnjë ngjashmëri ndërmjet gjendjes në Gjeorgji dhe gjendjes në Kosovë", tha ai.

Zoti Hollbruk nënvizoi se me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, në hartimin e së cilës kishte marrë pjesë edhe Rusia Kosova ishte vënë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe se me të njëjtën rezolutë kërkohej që të zgjidhej statusi i Kosovës nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ndërkaq, rajonet separatiste në Gjeorgji, sipas tij, janë aneksuar nga Rusia dhe nuk kanë ligjshmëri të statusit që pretendojnë.

Ambasadori Holebrooke i bëri thirrje edhe Bashkimit Evropian për një qasje të kujdesshme ndaj synimeve të Serbisë për të qenë pjesë e proceseve integruese evropiane.

"Nga pikëpamja ime Bashkimi Evropian do të bënte gabim po të pranonte hyrjen e Serbisë në këtë bashkim nëse ajo ende ngulë këmbë se Kosova është pjesë e saj, kjo do të ishte e rrezikshme",tha ambasadori Hollbruk.

Ai tha se synimi i Serbisë që të kërkojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës nuk do të dëmtojë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo mund të vështirësojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara që edhe ashtu është i penguar nga Rusia. Kosova tha ai është e pavarur dhe e lirë dhe kjo është më e rëndësishmja. //kk//

XS
SM
MD
LG