Lidhje

Rusia bie dakord të tërheqë trupat nga një zonë rreth Osetisë Jugore


Rusia ra dakord të tërheqë të gjitha trupat nga një zonë neutrale rreth Osetisë Jugore dhe Abkazisë, territore separatiste të Gjeorgjisë.

Presidenti rus, Dmitri Medvedev dhe Presidenti i Francës Nikola Sarkozi e njoftoi marrëveshjen në një konferencë të përbashkët për shtyp në Moskë. Zoti Medvedev tha se marrëveshja pason marrjen e garancive nga Gjeorgjia se nuk do të përdorë forcën në rajon.

Zoti Sarkozi, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës të Bashkimit Europian, ishte hartuesi i marrëveshjes së armëpushimit mes Gjeorgjisë dhe Rusisë muajin e kaluar.

Të dy udhëheqësit thanë se të gjitha forcat ruse do të jenë larguar nga Gjeorgjia brenda një muaji dhe se 200 paqëruajtësit evropianë do të shkojnë në rajon më 1 tetor. Zoti Sarkozi tha gjithashtu se postblloqet ruse përreth portit Poti të Detit të Zi do të hiqen deri javën e ardhshme dhe se bisedimet ndërkombëtare mbi gjendjen e sigurisë në Osetinë Jugore do të fillojnë në Gjenevë më 25 tetor.

Rusia ngul këmbë se trupat e saj që kanë mbetur brenda dhe pranë territoreve separatiste gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkazisë funksionojnë si paqeruajtës që po respektojnë kushtet e armëpushimit. Por Gjeorgjia e akuzon Rusinë se po e shkel armëpushimin duke vendosur trupa shtesë në disa prej pikëkalimeve të rëndësishme brenda territorit gjeorgjian. //bsa//

XS
SM
MD
LG