Lidhje

Senatori Mekein, epërsi në anketa ndaj rivalit demokrat Obama


Anketat e reja të opinionit tregojnë se kandidati republikan Xhon Mekein po siguron mbështetje gjithnjë e më të madhe në garën presidenciale ndaj rivalit demokrat Barak Obama. Të dy kandidatët zhvilluan të hënën fushatë lidhur me çështje për ndryshime në politikat drejtuese dhe në ekonomi.

Duket se gjatë kuvendit të Partisë Republikane javën e kaluar Senatori Mekein ka siguruar një fuqizim të konsiderueshëm të pozitave të tij në garë. Zoti Mekein gëzon tani epërsi sipas dy anketave, ndërsa në dy të tjera gëzon një mbështetje të barabartë me Senatorin Obama. Pjesa më e madhe e anketave tregonte një epërsi të zotit Obama para zhvillimit të kuvendeve partiake.

Fushata e zotit Mekein duket se ka marrë inerci të re falë më së shumti fjalimit të kandidates republikane për nënpresidente, Sara Pejlin. Dje zonja Pejlin prezantoi Senatorin Mekein në një tubim për fushatë në Mizuri:

"Në politikë, ka kandidatë që e shfrytëzojnë premtimin për ndryshim për karrierë, por ka edhe nga ata si Xhon Mekeini, i cili e shfrytëzon karrierën për të sjellë ndryshime."

Zoti Mekein e ka zhvendosur theksin e mesazhit të tij dhe po nënvizon tani se ai dhe zonja Pejlin janë kandidatët e duhur për ndryshim dhe se përvoja e tyre si jo-konformistë do të ndihmojë për të sjellë ndryshime në Uashington:

"Ne nuk punojmë për partinë dhe për grupe që përfaqësojnë interesa të posaçme. Ne nuk punojmë për veten. Ne do të punojmë për ju dhe do ta shterrojmë kënetën që është krijuar në Uashington. Ne do t'u kundërvihemi grupeve të interesave të posaçme."

Edhe Senatori Obama e përqendroi mesazhin e tij në problemet ekonomike, gjatë një aktiviteti për fushatë të hënën në Miçigan, një nga shtetet me përqindjen më të lartë të papunësisë në vend. Zoti Obama vuri në shenjestër përpjekjet e zotit Mekein për ta prezantuar kandidaturën republikane si forcë ndryshimesh, pas 8 vjetësh që republikanët kanë nën kontroll Shtëpinë e Bardhë:

"Këto pretendime janë të papranueshme. Nuk mund të ri-krijosh veten. Amerikanët nuk janë budallenj. Ata duan dikë që është përpjekur gjithmonë për ndryshim."

Mesazhit të zotit Obama i doli në ndihmë edhe ish-rivalja e tij demokrate, Hillari Klinton, e cila u angazhua në një aktivitet fushate në Florida së bashku me kandidatin demokrat për nënpresident Xho Bajden:

"Nëse duam të zgjidhim sfidat e shumta me të cilat përballet vendi, atëherë më duhet të përsëris mesazhin që thashë në Denver: Në asnjë mënyrë, as Mekein, as Pejlin."

Ndërkaq, zgjedhja e papritur e zonjës Sara Pejlin si kandidate republikane për nënpresidente është përcjellë me lëvdata nga Presidenti Bush dhe nënpresidenti Dik Çejni.

Presidenti tha në një intervistë për televizionin Fox se Senatori Mekein kishte bërë një "zgjedhje plot frymëzim" kur piketoi zonjën Pejlin, ndërsa nënpresidenti Çejni e cilësoi si "të përkryer" fjalimin e zonjës Pejlin në kuvendin republikan javën e kaluar. //ad//

XS
SM
MD
LG