Kandidati demokrat për president Barak Obama dhe ai republikan Xhon Mekein shkëmbyen sot kritika gjatë ndalesave që bënë në shtetin Ohajo.
Në një fjalim ku foli për planet e tij rreth arsimit, senatori Obama e akuzoi zotin Mekein se nuk ka propozuar apo mbështetur ndonjë nismë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shtetet e Bashkuara gjatë 26 vjetëve në Kongres.
Në një takim tjetër, senatori Mekein premtoi se do t’u verë veton shpenzimeve nga grupet e interesave të veçanta në se zgjidhet. Ai akuzoi senatorin Obama se ka kërkuar fonde prej 1 miliard dollarësh për shtetin e vet Ilinoi, fonde që në fakt nuk kanë qenë miratuar nga qeveria federale.
Që kur zoti Mekein zgjodhi guvernatoren e Alaskës, Sarah Peilin si kandidate për nënpresident, anketat në shkallë vendi i venë dy kandidatët pothuajse barabar përsa i përket përqindjes së votuesve që i mbështesin, me një farë epërsie për kandidatin republikan.
Një anketë e re e gazetës Uashington Post dhe rrjetit televiziv ABC News, tregon se gara për Shtëpinë e Bardhë është e paparashikueshme: 47 përqind e votuesve të regjistruar janë për zotin Obama ndërsa 46 përqind për zotin Mekein.//lk